Ronaldo, Messi, Aguero, Suarez: 10 lojtarët me më shumë gola të shënuar në shekullin e 21-të

Cristiano Ronaldo, Lionel Messi, Sergio Aguero dhe Luis Suarez janë vetëm disa nga emrat e golashënuesve më të mëdhenj deri më tani në shekullin e 21-të në futbollin botëror.

Aguero njoftoi tërheqjen e tij nga futbolli profesionist në një konferencë emocionale për shtyp në fillim të dhjetorit, duke u detyruar të varë këpucët në gozhdë për shkak të një problemi në zemër.

“Është një moment shumë i vështirë. Vendimi që kam marrë për shëndetin tim, problemi që kam pasur një muaj e gjysmë më parë”.

“Kam qenë në duar të mira me stafin mjekësor. E mora vendimin 10 ditë më parë pasi bëra gjithçka që ishte e mundur për të pasur pak shpresë për të luajtur”.

“Jam shumë krenar për karrierën time. Gjithmonë kam ëndërruar për një karrierë profesionale që nga hera e parë që preka topin në moshën pesëvjeçare”, ishin fjalët e Agueros në konferencën e tij të pensionimit.

Megjithatë, karriera e yllit argjentinas është për t’u lakmuar, pasi ai gjatë karrierës shënoi shumë gola duke përfunduar karrierën si njëri nga golashënuesit më të mëdhenj të gjeneratës së tij. Ai shënoi gjithsej 426 herë gjatë karrierës së tij.

Por, kush janë golashënuesit më të mëdhenj të shekullit të 21-të dhe cilat janë shifrat e golave të tyre të shënuara.

Faqja e njohur për statistika Transfermarkt ka emëruar listën me golashënuesit më të mëdhenj të mijëvjeçarit.

Lista e shënuesve më të mirë të shekullit 21 (Transfermarkt)

Aguero është pensionuar si golashënuesi i gjashtë më i mirë i shekullit të 21-të. Ai pa dyshim do të ngrihej në listë edhe më tej nëse nuk do të ishte i detyruar të varte çizmet e tij vetëm si 33-vjeçar.

Ai duket se do të bjerë në vendin e shtatë në listë në javët e ardhshme, me Karim Benzema që gjendet vetëm tre gola prapa tij dhe po shënon vazhdimisht te Real Madridi.

Ronaldo dhe Messi, në mënyrë të pashmangshme, udhëheqin garën apo listën e shënuesve. Ronaldo në të vërtetë ka shënuar 802 gola në karrierë, por për shkak se liga e parë portugeze nuk konsiderohet si top pesë liga, pesë golat e tij të Sporting Lisbonës nuk janë përfshirë.

Suarez e gjen veten në vendin e tetë. Uruguaiani është vetëm 30 gola prapa Benzemas, pavarësisht se ka luajtur më shumë se 200 ndeshje më pak. Kjo thjesht tregon se sa shënues i pabesueshëm ka qenë ai gjatë dekadës së fundit.

Edin Dzeko është një emër surprizë në top 10. Me 346 gola deri tani dhe me vazhdimin e shënimeve edhe këtë sezon, boshnjaku gjendet në vendin e nëntë, përpara legjendës së Manchester United dhe Anglisë, Wayne Rooney.

Më poshtë mund ta shikoni listën e 10-të shënuesve më të mëdhenj të shekullit të 21-të:

1.Cristiano Ronaldo – 1066 ndeshje, 797 gola

Ylli portugez ka vazhduar të tregoj se është një golashënues i lindur duke kryesuar listën e shënuesve në shekullin 21-të.

Ronaldo në përgjithësi deri më tani, pa golat e shënuara të Sporting Lisbona, por vetëm tek Manchester Unitedi, Real Madridi, Juventusi dhe Kombëtarja e Portugalisë ka shënuar plot 797 gola në 1066 ndeshje zyrtare.

2.Lionel Messi – 951 ndeshje, 758 gola

Pas Ronaldos, nuk ka kush të jetë tjetër në listë përveç rivalit të tij më të madh në futboll, Lionel Messi.

Messi, edhe pse jo një qendërsulmues natyral, por i kombinuar me kreativet të lojës, ka arritur të jetë edhe një shënues i madh.

Ylli argjentinas, me fanellën e Barcelonës, Paris Saint-Germain dhe Kombëtares së Argjentinës ka arritur të shënojë 758 gola në 951 ndeshje zyrtare.

3.Robert Lewandowski – 668 ndeshje, 500 gola

Sulmuesi polak është lojtari i vetëm që ka arritur të rivalizojë në vitet e fundit dyshen Ronaldo-Messi, sa i përket shënimit të golave.

Ylli i Bayern Munichut disa herë ka përfunduar si golashënuesi i sezonit, pasi me fanellën e Bavarezëve dhe atë të Kombëtares së Polonisë ka shënuar plot 500 gola në 668 ndeshje të luajtura në përgjithësi.

4.Zlatan Ibrahimovic – 754 ndeshje, 452 gola

Suedezi ka ndryshuar shumë klube të mëdha si Juventusi, Interi, Milani, Paris Saint-Germain dhe Manchester United në pesë ligat kryesore evropiane.

Megjithatë, shënimi i vazhdueshëm me secilën skuadër ka bërë që Ibra ta gjej veten në në vendin e katërt në listën e golashënuesve më të mirë të shekullit 21.

Ibrahimovic në 754 ndeshje të zhvilluara me ekipet e tij dhe kombëtaren ka arritur t’i shënojë 452 gola në 754 ndeshje.

5.Edinson Cavani – 726 ndeshje, 410 gola

Ashtu sikurse Ibrahimovic, edhe Cavani ka qenë një qendërsulmues i frikshëm duke shënuar shumë golave me klubet e tij si Palermo, Napoli, Paris Saint-Germain dhe Manchester United.

Sulmuesi uruguaian deri më tani, në gjithë shekullin e 21-të ka arritur t’i shënojë 410 gola në 726 ndeshje me klubet dhe kombëtaren e Uruguait.

6.Sergio Aguero – 726 ndeshje, 402 gola

Aguero ishte një qendërsulmues i madh, duke shënuar shumë gola në fillimin e karrierës me Atletico Madridin dhe pastaj gola të panumërt me Manchester Cityn.

Transferimi në verë te Barcelona u prit me entuziazëm dhe pritej që Aguero të përmirësonte edhe më shumë shifrat e tij të golave të shënuara me klubet.

Megjithatë, Aguero u detyrua të pensionohet në moshën 33-vjeçare dhe me vetëm një gol te Barcelona, por në përgjithësi me klubet dhe kombëtaren e Argjentinës, ai ka arritur të shënojë plot 402 gola në 726 ndeshje.

7.Karim Benzema – 822 ndeshje, 399 gola

Sulmuesi francez është lojtari aktiv që po shënon më shumë gola aktualisht duke bërë që vendi i tij i shtatë në listë të jetë vetëm i përkohshëm.

Benzema deri më tani, me fanellën e Lyonit, Real Madridit dhe Kombëtares së Francës ka arritur të shënoj 399 gola në 822 ndeshje të zhvilluara.

8.Luis Suarez – 602 ndeshje, 369 gola

Dekada e fundit pa edhe një qendërsulmues tjetër të frikshëm, i cili shënoj shumë gola me fanellën e Liverpoolit, Barcelonës dhe së fundmi Atletico Madridit.

Bëhet fjalë për uruguaianin Suarez, i cili edhe pse ende lojtar aktiv, ka arritur t’i shënojë 369 gola në 602 ndeshje të luajtura me klubet dhe kombëtaren.

9.Edin Dzeko – 731 ndeshje, 346 gola

Emri i Dzekos mund të tingëlloi si befasi, por numrat e tij të golave janë të vërtetë.

Sulmuesi boshnjak me klube si Wolfsburgu, Manchester City, Roma, Interi dhe kombëtaren e Bosnjës ka arritur t’i shënoj 346 gola në 731 ndeshje të zhvilluara.

10.Wayne Rooney – 796 ndeshje, 334 gola

Sulmuesi anglez është vetëm i dyti i pensionuar në këtë listë, por edhe përkundër disa viteve që kanë kaluar nga pensionimi, Rooney ka vazhduar të mbetet në dhjetëshen e golashënuesve më të mirë të shekullit 21.

Ish-ylli i Evertonit, Manchester Unitedit dhe kombëtares së Anglisë ka arritur t’i shënojë 334 gola në gjithsej 796 ndeshje të zhvilluara.


ShënimLista ka disa ndryshime të vogla në numrin e golave pas disa ndeshjeve të fundit këtë vit, pasi kjo listë  është publikuar më 16 dhjetor.

Go to TOP