Roma godet shpresën e Inter për titull
Inter ka marrë një goditje në rrugën për ta mbajtur titullin në Serie A. Kjo pas humbjes 0-1 nga Roma.
Ndeshja, e cila mund të kishte ndikuar në luftën për titull, i ka dhënë një goditje të madhe synimit të skuadrës nga Milano për ta mbajtur pozitën në krye.
Inter ka menduar se po bën një fillim të përkryer kur Davide Frattesi e ka dërguar topin në rrjetë brenda dhjetë minutave, por flamuri lart i ndihmësit të gjyqtarit ka ndalur festën. Pastaj gjendja e Inter është përkeqësuar, kur Roma ka kaluar në epërsi me një gol befasues. Ishte fati në lojë, pasi një top i humbur ka shkuar në favor të Matías Soule, i cili ka goditur fort për të heshtur stadiumin dhe për t’u dhënë mysafirëve avantazhin 1-0.
Mundësitë për Interin të përmirësonte gjendjen kanë qenë të pakta. Roma ka pasur mundësi të dyfishta për të shënuar një gol tjetër me Eldor Shomurodov dhe Bryan Cristante, por asnjëri nuk ia ka arritur ta mposhtte portierin Yann Sommer. Për një Inter në nevojë për një gol për të ringjallur shpresat për titull, reagimi ka qenë i pamjaftueshëm, duke mos arritur të shënonin asnjëherë brenda njëzet minutave pas pushimit. Kjo e ka shtyrë trajnerin Simone Inzaghi të bëjë një ndryshim të dyfishtë, por zëvendësimet e tij nuk kanë dhënë rezultat.
Në minutat e fundit të ndeshjes, Inter ka mundur të pësonte një humbje edhe më të rëndë. Pasi Niccolo Pisilli e ka pasur mundësinë e artë të shënonte, ai e e ka goditur topin jashtë nga një distancë prej rreth dhjetë metrash. Roma ka vazhduar të krijonte mundësi, dhe disa minuta më vonë, Artem Dovbyk ka shpërdoruar një rast tjetër për të shënuar, pasi Francesco Acerbi ka bërë një ndërhyrje vendimtare që ka shpëtuar golin.
Pjesa e dytë ishte një kalvar i vështirë për Interin, duke marrë vetëm një goditje në portë deri në minutën e 85-të.
Inter dhe Napoli ende kanë nga 71 pikë në krye të tabelës, por Napoli sonte mund të shkëputet në krye po qe se fiton nga Torino, një ndeshje e cila zhvillohet duke filluar nga ora 20:45. Nga ana tjetër, Roma gjendet në vendin e pestë me 60 pikë.
