Rekordi zgjedhor i Rugovës që kurrë nuk do të thyhet, 58% në vitin 2000! – VV e vetme, nuk i thyen as rekordet e 2001 e 2004!

Shkruan: Idriz MORINA

Po e rishkruaj sa për kujtesë, veçanërisht të njerëzve që mburren në rrjete sociale me rezultatet e Vetëvendosjes, duke e riprodhuar një arketip të rrenës zgjedhore!

Ky shkrim është një rikujtesë për mënyrën se si duhet lexuar rezultati zgjedhor në Kosovë, veçanërisht kur bëhen krahasime mes periudhave me sisteme të ndryshme zgjedhore. Krahasimi jashtë këtij konteksti krijon perceptime të pasakta dhe narrativa që nuk qëndrojnë në analizë faktike.

Në vitin 2000, në rrethana ekstreme të presionit ndaj LDK-së, ku vota për LDK-në quhej tradhti edhe me shkrime, me parulla dhe mbishkrime në rrugë, e shoqëruar me vrasje politike, plagosje, rrahje, kërcënime, dhe sërish ndodhi shkëlqimi i Rugovës dhe LDK-së, me 58% të votave, pavarësisht edhe presionit zgjedhor të evidentuar, në fushatë e në ditën e votimit!

Ai rezultat do të jetë i afërt, edhe në zgjedhjet e tjera pasuese sa ishte gjallë Rugova, asnjëherë nuk ra nën 45%, madje në një sistem krejt tjetër zgjedhor, që ua mundësonte partive edhe me 0.5% të merrnin vend në Kuvend.

Serbët në vitin 2001 me Povratakun e udhëhequr nga krimineli Oliver Ivanoviç, patën fituar 22 vende në Kuvend, me një rezultat 11.34% apo 89388 vota! Ndërsa, pakicat tjera patën fituar 13 deputetë. Pra, ishte një Kuvend me 35 deputetë të pakicave, dhe me vetëm 85 deputetë shqiptar, e jo me 100 sa ka aktualisht!

Krahasimi i rezultateve në kontekst të sistemeve zgjedhore!

Sa për krahasim, sikur edhe në vitin 2021, të ishte ai sistem zgjedhor, por edhe këtë vit, sikur serbët të fitonin 21 vende (me 11.34), dhe pakicat tjera 11-13, shqiptarët do të kishin minus 11-14 vende, në Kuvend për shkak të serbëve, por edhe të pakicave të tjera. Atëherë, sot VV-ja në koalicion siç është nuk do të ishte rezultati 56 vende për VV, por do të kishte maksimalisht 49 ose nëse e kalon 49.5 apo 50.5, do të merrte ndërmjet 49-52 vende, ndërsa më 2021, 50-51 vende. Pra, me gjithë koalicionin, një dallim prej vetëm 2 deri në 4 eventualisht 5 deputetë (nëse në zgjedhjet e fundit rezulton se fiton 59 vende) do të kishte qenë, pasi LDK-ja e vetme, kishte nga 47 deputetë, në 2001 e 2004.

Por, Vetëvendosje nuk ka garuar e vetme asnjëherë. Në koalicion me Listën Guxo dhe Alternativën, që në zgjedhjet e 2021 këto dy tjerat i kishin 7 deputetë, dhe VV 51. Pra, në këtë rast në krahasim me sistemin zgjedhor ku shënoi rekorde LDK-ja, VV-ja maksimalisht mund të kishte 44 deputetë dhe më së paku 43. Pra, VV teorikisht do të ishte me së paku 3-4 deputetë më pak se LDK-ja e 2001 dhe 2004!

Ndërsa, aktualisht VV me koalicion është tek 56 deputetë, nëse nuk e kalon rezultatin e 2021, atëherë me atë sistem zgjedhor do të mbetej tek 50-52, minus së paku 6-8 deputetë të koalicionit, bie në 42-46 deputetë. Pra, në rastin më të mirë këtë vit, do të kishte së paku një deri në 5 deputetë më pak se LDK-ja! Në këto zgjedhje ka garuar në koalicion edhe me PSHDK-në. Sërish rezultati i partive të koalicioni është i ngjashëm 6-7 deputetë. Dhe nëse nuk arrin tek 58 deputetët, VV do të kishte ndërmjet 49 dhe 51 deputetë.

Pra, siç shihet edhe një pseudomit i rrjeteve sociale është zhbërë, me një analizë të thjeshtë!

Këto rezultate zgjedhore me koalicione të VV-së, rezultojnë më të dobëta se sa të LDK-së, që siç thamë ajo në kushtet e fitores së LDK-së, do të ishte maksimalisht në 45-46 deputetë, pa koalicione dhe në mënimalisht 42-44 deputetë. Pra, kjo analizë tregon, se Vetëvendosje, jo që nuk e ka thyer rekordin e vitit 2000 të LDK-së, por as nuk e ka arritur rezultatin e LDK-së të 2001 dhe 2004. Në 2004 madje LDK, në koalicion pas zgjedhor me PSHDK-në kishte 49 deputetë, pasi partia e Mark Krasniqit kishte fituar dy vende!

Atëherë sipas sistemit zgjedhor me Kornizën Kushtetuese, por që vazhdoi edhe në dy mandate me Kushtetutën aktuale, deri sa i lejoheshin edhe vendet e rezervuara edhe të garantuara, votuesi shqiptar ishte tejet i hendikepuar.

Rezultatet e vitit 2000!

T’i kthehemi edhe njëherë rezultateve të vitit 2000. Sipas rezultatit zyrtar ishin 687 332 vota të rregullta, ndërsa 721 260 votues kishin marrë pjesë, që dmth se 34 mijë vota ishin të pavlefshme. Shumica prej tyre besohet se ishin për LDK-në, që numëruesit e votave i dëmtuan. Numrimi i votave asokohe nuk bëhej në qendrat e votimit, por në qendrën kryesore të OSBE-së, të përcaktuar për numërim.

Rugova pat deklaruar se sipas informacioneve zyrtare të partisë, kishin fituar me rezultat prej 65%!

Gjithashtu rezultati në ato zgjedhje u ndikua nga një pjesëmarrje enorme e partive politike dhe subjekteve individuale. Morën pjesë 34 parti politike dhe 15 individë, gjithsej 49!

Në ato zgjedhje rezultati zyrtar i tri partive kryesore ishte ky:

LDK 58% apo 398 872

PDK 27.3% apo 187 821 vota

AAK 7.7% apo 53 074 vota

Analiza e rezultateve zgjedhore tregon qartë se Vetëvendosje, pavarësisht rezultateve të larta në përqindje, nuk e ka tejkaluar as rezultatin historik të LDK-së në vitin 2000, as dominimin parlamentar të saj në vitet 2001 dhe 2004. Krahasimet jashtë kontekstit të sistemit zgjedhor janë jo vetëm të pasakta, por edhe mashtruese për opinionin publik.


Go to TOP