Reagim nga Sindikata e Policisë së Kosovës për mos-pagesën e familjeve të policëve të rënë në detyrë

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj mos-pagesës së familjeve të policëve që kanë rënë gjatë kryerjes së detyrës për muajin dhjetor.

Sipas Sindikatës, pavarësisht se Drejtoria e Financave ka bërë kërkesën zyrtare për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej rreth 290 mijë euro, pagesat ende nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave. Si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë kanë mbetur pa kompensim edhe pas përfundimit të vitit.

Në reagim thuhet se kjo situatë është e papranueshme dhe e dhimbshme, duke pasur parasysh sakrificën e këtyre familjeve, të cilat kanë humbur më të dashurit e tyre në shërbim të sigurisë, rendit publik dhe mbrojtjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Sindikata i bën thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti Ministrisë së Financave, që urgjentisht të gjejnë zgjidhje dhe të realizojnë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e familjeve të policëve të rënë.

“Sakrifica e policëve të rënë në detyrë nuk duhet dhe nuk guxon të harrohet”, përfundon reagimi i Sindikatës së Policisë së Kosovës./Kosova.info/

Go to TOP