Rasti i 53-milionëshit, propozohet të administrohet si provë materiale opinioni i “Hill International”
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet shqyrtimi gjyqësorë për rastin e 53-milionëshit, me ç’rast prokurori special Valdet Gashi ka propozuar që në kuadër të administrimit të provave materiale të administrohet edhe opinion i kompanisë mbikëqyrëse të autostradës “Arbën Xhaferri” “Hill International”.
Në këtë rast të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i Pal Lekajt, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.
Sipas prokurorit Gashi kjo provë dëshmon se, edhe përkundër faktit se ishte propozuar që të mos bëhet pagesa shtesë ndaj “Bechtel and Enka” si opinion nuk e kishin përfillur fare.
Gjithashtu prokurori Gashi ka sqaruar se “Hill Interantionale” kishin rekomanduar Ministrinë e Infrastrukturës që të bëhej pagesa shtesë prej 14 milion e 778 mijë e 654 euro e 87 centë dhe jo pagesa tjetër prej 53 milion e 100 mijë euro.
Prandaj, sipas prokurorit nga kjo pagesë është arritur t’i shkaktohet dëm buxhetin e Kosovës në vlerën prej 38 milion e 321 mijë e 346 euro.
Gjithashtu prokurori Gashi ka elaboruar edhe prova tjera të renditura si në aktakuzë e që gjithsej janë 29 sosh.
Paraprakisht, në këtë seancë prokurori tjetër speciale Atdhe Demaj ka sqaruar se nuk ka arritur të bëjnë sigurimin e dy dëshmtarëve, konkretisht përfaqësuesit të kompanisë̈ “Hill International” Georgios Papaioannou dhe atij të “Bechtel and Enka” Riyad Alkhazraji.
Prandaj, prokurori Demaj propozoi që të lexohen deklarata e dy përfaqësuesve të dhënë̈ në polici, mirëpo ky propozim u refuzu nga gjykata, duke i obliguar prokurorinë që të bëjnë̈ përpjekje që në shqyrtimet e ardhshme gjyqësorë të bëjnë sigurimin tyre.
Seanca pritet të vijoj në sesionin e pasdites lidhur me kundërshtimet e mundshme nga ana të mbrojtësve të të akuzuarve për provat materiale të elboruar nga prokurori Gashi
Ndryshe, në seancën e kaluar të mbajtur më 29 shtator 2023, është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe shefi i kabinetit të ish-ministrit Lekaj, dëshmitari Argjend Zejnaj.
Ndërkaq, në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.
Ndërsa, më 9 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më ç8 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
