Ramadani optimist: Shqipëria mund të mposht Çekinë dhe Ukrainën

Mesfushori kosovar i Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, të mërkurën në një konferencë për media, ka folur në prag të dueleve me Çekinë dhe Ukrainën, ndeshje këto që do të luhen në kuadër të Ligës së Kombeve.

Ramadani thotë se kuqezinjtë janë përgatitur që të marrin pikët maksimale në të dy ndeshjet që janë vendimtare për Shqipërinë në garën për pozitën e parë në grup.

“Të dy kundërshtarët janë të fortë, kanë luajtur në Evropian. Synimi i tyre është kualifikimi, por ne mendojmë vetëm ndeshjen e radhës ndaj Çekisë, pastaj Ukrainën. Nuk do të jetë e lehtë pasi janë kundërshtarë të fortë. Çekia është skuadër fizike, por ne jemi duke u përgatitur. Avantazhi jonë i vetëm janë tifozët që do t’i kemi në ‘Air Albania, kjo është një shtysë e madhe për ne”, ka thënë Ramadani.

Ai beson se Shqipëria mund të sigurojë vendin e parë në grup, por sipas tij, skuadra shqiptare duhet t’i menaxhojë mirë dy ndeshjet e fundit të këtij cikli garash në Ligën e Kombeve.

“Unë mendoj që presion kemi gjithmonë, por ne e dimë si ta menaxhojmë dhe e dimë si duhet të luajmë me Çekinë. Atje u mundëm nga duelet dhe topat e gjatë, por mendoj që këtu do të jetë një ndeshje ndryshe. Duhet të futemi në fushë shumë seriozisht dhe ta menaxhojmë presionin në mënyrën e duhur”, ka pohuar mesfushori i Lecces.

“Normalisht, të gjithë kemi ardhur që të marrim në të dyja ndeshjet rezultate pozitive. Do bëjmë maksimumin”, ka theksuar Ramadani.

Go to TOP