Hapet edicioni i 27-të i Panairit të Librit “Tirana 2024”

Në Tiranë është hapur sot edicioni i 27-të i Panairit të Librit “Tirana 2024”. Panairi i cili do të jetë i hapur deri më 17 nëntor, ka mbledhur bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. 

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, është hapur sot Panairi i Librit, Tirana 2024, i cili ka mbledhur shkrimtarë, poetë, përkthyes e lexues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, në intervistën për Programin e Mëngjesit në Radio Kosovë, Petrit Ymeri, ka thënë se sivjet po marrin pjesë 95 ekspozues, ku pjesa më e madhe e tyre janë shtëpi botuese.

“Ka mjaft tituj të rinj, libra të autorëve shqiptarë, ka shumë përkthime, ka shumë libra për fëmijë dhe ka shumë libra studimorë. Pra, ka një larmi shumë të madhe titujsh, të cilët i japin një dinamikë të vërtetë Panairit të Librit”, ka thënë ai.

Ymeri foli edhe për agjendën e Panairit, duke theksuar se do të ketë edhe promovime të titujve të rinj.

“Tashmë prej shumë vitesh Panairi i Librit nuk është vetëm një vend ku shitet libri, ku blihet libri, por është edhe një vend ku diskutohet, promovohen librat, promovohen autorët, diskutohet për vepra të reja apo për problem të ndryshme të botimeve. Në një kënd shumë të rëndësishëm të Panairit, që ne e quajmë Sofaja e Librit, diskutohet me gazetarët e kulturës, studiues e profesorët dhe përballë tyre kemi shkrimtarët, poetët, përkthyesit, botuesit, që diskutojmë për problemet e librit në Sofanë e Librit, që tashmë prej pesë vjetësh e kemi instaluar me shumë sukses”, ka thënë Ymeri.

Këtë vit, në kuadër të Panairit të Librit, shënohet edhe një ngjarje shumë e rëndësishme, ajo e 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe më 17 nëntor, në përmbyllje të Panairit, shënohet 80-vjetori i çlirimit të Tiranës.

 “Panairi i Librit” i Tiranës është eventi kulturor më i rëndësishëm në qytet, i cili ka tërhequr gjithmonë jo vetëm vendasit, por edhe turistë nga e gjithë bota. Për botuesit dhe autorët e pavarur shqiptarë është mundësia më e madhe për të promovuar veprat e tyre te publiku.

Go to TOP