Rama: Pushtimi rus në Ukrainë ka goditur themelin e politikës ndërkombëtare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti të premten pushtimin rus të Ukrainës si “situatë tragjike”, ndërkohë që e vlerësoi atë si zhvillim që ka goditur themelin e politikës ndërkombëtare duke shprehur solidaritet me ukrainasit dhe udhëheqjen politik të Ukrainës.

“(Është) zhvillim që ka sfiduar gjithë arkitekturën e sigurisë në Evropë”, tha Rama në një konferencë shtypi të mbajtur pas samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s në orët e mbrëmjes së të premtes.

“Ka sfiduar edhe të gjithë ngrehinën institucionale të politikës ndërkombëtare duke goditur themelin e saj, të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar”.

Rama tha se Shqipëria është angazhuar krahas shteteve tjera anëtare të NATO-s të mirëpresë refugjatët që po largohen nga Ukraina, ndërkohë që theksoi se për dallim nga vendet e tjera evropiane që kanë varësi ekonomike dhe tregtare me Rusinë, implikimet e luftës në Ukrainë janë më të vogla për Shqipërinë.

Rama theksoi se Shqipëria është pjesë e aleancës së shteteve që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Go to TOP