Rama pret shefen e re të zyrës së KE-së

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka mirëpritur shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Mary Ann Hennessey, me ç’rast edhe e ka uruar për marrjen e detyrës së re.

“Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, në një takim të mbajtur sot në Odën e Kryeqytetit, mirëpriti me shumë kënaqësi Mary Ann Hennessey, të sapoemëruar shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë. Gjatë këtij takimi kryetari e uroi Hennessey për marrjen e detyrës së re dhe diskutoi mbi avancimin e aktiviteteve të ndryshme, me theks të veçantë në sigurinë, drejtësinë dhe arritjen e barazisë së qytetarëve”, ka njoftuar komuna nëpërmjet një komunikate për medie.

Më tutje njoftohet se në takim u vu në dukje rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit me Këshillin e Evropës, veçanërisht tani që Republika e Kosovës ndodhet në fazën finale të anëtarësimit në këtë organizatë.

Po ashtu, Rama falënderoi Hennessey për mbështetjen e vazhdueshme që ajo dhe organizata e saj ofrojnë për kryeqytetin dhe për të gjithë vendin.

“Në fund të takimit, kryetari e siguroi shefen e Zyrës për gatishmërinë e kryeqytetit për të zhvilluar projekte të përbashkëta dhe theksoi se Prishtina është gati për ta festuar anëtarësimin e ardhshëm në Këshillin e Evropës, një ngjarje që do të shënojë një hap të madh përpara për vendin në skenën ndërkombëtare”, njofton komuna e Prishtinës. /Kosova.info/

Go to TOP