Rama për Bajramin: Një luftëtar i së vërtetës, shembull i forcës dhe qëndresës

Me dhimbje të thellë është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të Bajram Çerkinit, kryetarit të Shoqatës së të Pagjeturve në Kosovë, “Zëri i Prindërve”. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një mesazhi ngushëllimi, e ka vlerësuar Çerkinin si një luftëtar të së vërtetës dhe një simbol të forcës dhe qëndresës.

“Si prind, si njeri dhe si udhëheqës i Shoqatës, ai ka vuajtur dhe luftuar për çdo të zhdukur duke kërkuar drejtësi dhe paqe për ata që kanë humbur më të dashurit e tyre. Por, ndonëse luftoi me gjithë forcën për të gjetur të vërtetën, ai vetë nuk arriti të prekte shpirtin e qetësisë. Ai iku nga kjo botë pa mësuar fatin e djalit të tij, që për dy dekada nuk u dorëzua së kërkuari,” ka shkruar Rama.

Largimi i Bajram Çerkinit është një humbje e madhe për familjet e të pagjeturve, për qytetarët e Kosovës dhe për gjithë ata që e kanë njohur guximin dhe përkushtimin e tij. Përparim Rama theksoi se emri i tij do të mbetet gjithmonë një simbol i shpresës dhe i luftës për drejtësi.

Bajram Çerkini u shqua për përpjekjet e tij të palodhura për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë duke qenë një zë i fuqishëm për familjet e prekura. Ndarja e tij nga jeta lë një boshllëk të madh në kauzën për drejtësi dhe të vërtetën e të pagjeturve. /Kosova.info/


Go to TOP