Austria barazon patentë-shoferët kosovarë me ata austriakë

Ambasada Austriake në Prishtinë ka njoftuar se, duke filluar nga 1 marsi 2025, patentë-shoferët e Kosovës të të gjitha kategorive do të jenë të barabartë me patentë-shoferët austriakë.

Njohja e patentë-shoferëve kosovarë në Austri kishte hyrë në fuqi më 1 shtator 2023, pas miratimit të marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së Transportit sipas nenit 23 të Ligjit për Patentë Shoferët (FSG). Kjo u kishte dhënë të drejtën mbajtësve të patentë-shoferëve nga Kosova të drejtojnë automjete përkohësisht në Austri. Megjithatë, për ata që qëndronin mbi gjashtë muaj ose vendosnin vendbanimin në Austri, konvertimi i patentës kërkonte një provim praktik të vozitjes.

Me ndryshimin e rregullores, duke nisur nga 1 marsi 2025, patentë-shoferët kosovarë nuk do të kenë më nevojë për një test praktik gjatë konvertimit të patentës së tyre në Austri. Kjo përfaqëson një lehtësim të rëndësishëm për komunitetin kosovar dhe për sektorin e ekonomisë, duke i dhënë mbajtësve të patentave kosovare të njëjtat të drejta si kolegët e tyre austriakë.

Ky vendim i Austrisë pritet të lehtësojë ndjeshëm integrimin e shoferëve kosovarë në tregun e punës dhe sistemin e transportit në këtë shtet. /Kosova.info/


Go to TOP