Rama mbron Yll Limanin: Fushata e urrejtjes online është e neveritshme, demokracia rrezikohet kur zëvendësohet dialogu me anatema
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve dhe thirrjeve për bojkot ndaj këngëtarit Yll Limani duke i cilësuar ato si një shfaqje të rrezikshme të dhunës verbale dhe intolerancës në rrjetet sociale.
Rama tha se nuk e njeh personalisht artistin dhe nuk e dëgjon muzikën e tij, por dënoi ashpër fushatën e urrejtjes që, sipas tij, u intensifikua pas suksesit të koncertit të fundit të Limanit.
“Dhunën online ndaj tij, thirrjet e dhunshme për bojkot të koncertit të tij dhe kërcënimet pas suksesit të mbrëmshëm i konsideroj si shprehjen më të neveritshme të një fenomeni që po e shoqëron protestën e bulevardit”, shkroi Rama.
Sipas kryeministrit shqiptar, në vend po shfaqet një klimë e re presioni dhe intimidimi ndaj kujtdo që nuk rreshtohet me protestuesit duke përmendur thirrjet për bojkot, bllokim rrugësh dhe sulmet ndaj personave që mendojnë ndryshe.
Rama paralajmëroi se histori të tilla kanë shoqëruar lëvizje ekstremiste në periudha të ndryshme historike duke përmendur si shembuj Italinë e Benito Mussolini, Gjermaninë naziste dhe lëvizjen Agimi i Artë në Greqi.
Ai theksoi se problemi nuk qëndron te e drejta për të protestuar, të cilën e konsideroi një të drejtë themelore demokratike, por te përpjekjet për të etiketuar si “tradhtarë” apo “armiq të popullit” ata që nuk mbështesin protestat.
“Kur dialogu zëvendësohet nga anatema, argumenti nga sharja dhe bindja nga frikësimi, përfundimi nuk është kurrë liria, por fundi i saj”, u shpreh Rama.
Në fund të reagimit, ai bëri thirrje për ruajtjen e frymës demokratike, respektimin e mendimit ndryshe dhe refuzimin e çdo forme të presionit apo dhunës verbale duke theksuar se Shqipëria duhet të ecë përpara dhe jo të kthehet pas në modele të intolerancës politike e shoqërore. /Kosova.info/
