Rama del në terren, thotë se ka bërë diçka që s’e ka bërë askush më herët

Komuna e Prishtinës ka nisur aksionin për zhvendosjen e kiosqeve në rrugën “Muharrem Fejza” në kryeqytet. Kryetari Përparim Rama ka dalë në terren i shoqëruar nga disa drejtorë për t’i përcjellur punimet, që ai i quan “çlirim” skaj rrugës që njihet tashmë për problemet e kahmotshme infrastrukturore.

Rama tha se ky aksion mundëson zgjerimin e kësaj rruge, gjë të cilën tha se nuk e ka bërë askush para tij.

“Jemi në rrugën ‘Muharrem Fejza’. Ka qenë premtim që do ta bëjmë zgjidhje. Rrugën e kemi gjetur në gjendje shumë të keqe. E kemi marrë Komunën në dhjetor, në dimër, kemi bërë shumë prej atëherë deri tash, jemi marrë me çështjen e shpronësimit, negocimit më pronarë… Me ta nuk ishte marrë askush përpara. Për fat të mirë, kemi ardhur te pajtimi dhe tani jemi duke bërë zhvendosjen e kabinave që do t’na lejojë përfundimin e kësaj rruge”, tha Rama.

40 ditë, sipas tij, është afati për ta përfunduar këtë proces.

“Krejt rruga përpjetë andej ka qenë në një gjendje shumë të keqe. Ne kemi marrë masa menjëherë për ta shtruar me zhavorr, sepse gjatë kohës me temperature nën zero, nuk mund të kryhen punë të tjera. Tash që jemi në pranverë, koha ka filluar të përmirësohet, jemi me temperature në plus, kemi një tempo të zhvillimit në ‘Muharrem Fejza’. Kemi 40 ditë, 39 prej sot deri në përfundimin e rrugës. Për 39 ditë do ta kryejmë këtë proces”, tha kryetari i Prishtinës.

Në ditët e para të qeverisjes me kryeqytetin, Rama tha se janë marrë me punë të mëdha.

“Duhet opozitë e fortë të na shtyjë të kryejmë punë, por s’e kemi pritur të na shtyjë. Ne kemi bërë shumë projekte, e jemi marrë me probleme të mëdha”, tha Rama.

Go to TOP