Rahoveci fiton superderbin ndaj Besa Famgas

Rahoveci e ka fituar derbin e xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Të enjten mbrëma në palestrën “Mizahir Isma”, Rahoveci fitoi ndaj Besa Famgasit me rezultat 35:30.

“Vreshtarët” ishin në epërsi që nga fillimi. Në pjesën e parë epërsia e vendasve shkoi deri në katër gola, por pejanët u afruan në një gol në fund të pjesës së parë, 16:15.

Në fillim të pjesës së dytë Besa Famgas barazoi 17:17. Më pas humbi disa mundësi për barazim tjetër. Dhe gabimet e Besës i shfrytëzuan vendasit që nisën shkëputjen në më shumë gola. Në 15 minutat e fundit epërsia e Rahovecit ishte më e lartë.

Arbër Curri u shqua me pritje të shumta te Rahoveci në pjesën e dytë. Në pjesën e parë formë të mirë tregoi Arti Luzha. Më efikasi te vendasit ishte Victor Alonso me 13 gola, shtatë prej tyre nga penalltia. Alban Haziri i shënoi gjashtë gola e pesë i kishte Arbios Mushkolaj.

Besës nuk i kryen punë pritjet e shumta të Mursel Memetit. Më efikasi ishte Olsi Mulaj me gjashtë gola. Nga pesë i kishin Jon Vokshi e Ardit Tafilaj.

Rahoveci ka gjashtë fitore në gjashtë ndeshje. Besën e mposhti për herë të dytë. Besa Famgas ka bilanc prej katër fitore e dy humbje. Të dy skuadrat i kanë nga dy ndeshje më pak të luajtura.

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar të enjten, Prishtina fitoi 39:36 ndaj Llapit.

Oltion Beshiri i kishte 11 gola për Prishtinën, katër prej tyre nga penalltia. Enis Kuleta kontribuoi me nëntë gola, derisa tetë i kishte Albi Gjuka.

Ardi Halili realizoi tetë gola për llapjanët, derisa nga shtatë i kishin Luigj Kolaj e Arbër Neziri.

Prishtina ka pesë fitore e tri humbje. Llapi pësoi humbjen e katërt, ndërsa i ka edhe dy fitore. /Kosova.info/

Go to TOP