Radarët mobilë në Prizren, vetëm për një orë shqiptohen 13 gjoba
Policia e Kosovës në Prizren ka filluar të përdorë radarët mobilë për kontrollin e qarkullimit rrugor. Vetëm gjatë një ore kontroll në rrugën Prizren–Prevallë, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor shqiptoi 13 gjoba për tejkalim të vijës së plotë dhe tejkalim të shpejtësisë së lejuar.
Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor (NJRTRR) në Prizren, është pajisur me një automjet të ri me radar mobil, si pjesë e përpjekjeve për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e kundërvajtjeve rrugore.
“Më datë 20.08.2025, nga ora 09:00 deri në 10:15, patrulla policore e NJRTRR Prizren ka organizuar një pikë kontrolli me veturë të pajisur me radar mobil në rrugën Prizren–Prevallë. Gjatë këtij operacioni janë shqiptuar gjithsej 13 fletëparaqitje për kundërvajtje,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas raportit, “8 fletëparaqitje janë shqiptuar për tejkalim në vijë të plotë, prej të cilave 5 automjete me targa të huaja, ndërsa 5 fletëparaqitje për tejkalim të shpejtësisë së lejuar në zonën e kufizuar me 30 km/h.”
“Të gjitha kundërvajtjet janë video-incizuara nga radari mobil, duke shërbyer si dëshmi të pakontestueshme për shkeljet e evidentuara,” theksohet më tej.
Policia e Kosovës apelon për respektim të rregullave të komunikacionit dhe bën të ditur se “kontrollet me radar mobil do të vazhdojnë në mënyrë të rregullt në zonat me rrezikshmëri të lartë.” /Kosova.info/
