Qytetarja me falënderim për infermieret e QMF-së në Bregun e Diellit, vlerësohet përkushtimi i stafit shëndetësor
Një letër falënderimi dhe mirënjohjeje i është adresuar Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, ku vlerësohet lart puna dhe përkushtimi i stafit të infermierisë në QMF – Bregu i Diellit.
Qytetarja, Shqipe Breznica, përmes kësaj letre, ka shprehur mirënjohjen e saj të sinqertë për kujdesin e treguar gjatë një trajtimi 10-ditor duke theksuar profesionalizmin, durimin dhe korrektësinë e infermiereve. Ajo ka bërë të ditur se gjatë gjithë periudhës së trajtimit është ndjerë e respektuar dhe e sigurt, falë angazhimit të vazhdueshëm të stafit.
Në letër veçohet edhe qasja njerëzore e infermiereve, komunikimi i qartë dhe gatishmëria për të ndihmuar në çdo moment duke e bërë përvojën e trajtimit më të lehtë dhe më dinjitoze në një institucion publik shëndetësor.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, ka reaguar ndaj kësaj letre duke shprehur kënaqësinë e tij për punën dhe angazhimin e stafit mjekësor në kryeqytet.
“Shumë i lumtur për angazhimin dhe punën e palodhshme të stafit mjekësor në Kryeqytet për të ofruar shërbime më cilësore për qytetarët”, ka deklaruar Sadiku.
Ky vlerësim konsiderohet si një dëshmi e rëndësishme e përmirësimit të shërbimeve shëndetësore publike dhe përkushtimit të profesionistëve shëndetësorë në shërbim të qytetarëve.
