Qytetarët në veri pranojnë faturat e rrymës paushall

Qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës kanë filluar nga java e kaluar t’i pranojnë faturat e energjisë elektrike. Kompania “Elektrosever”, e cila është licencuar për furnizimin dhe faturimin me energji elektrike të komunave me shumicë serbe, është duke bërë shpërndarjen e këtyre faturave, ndërsa qytetarët për gjashtë muajt e parë të këtij viti do të faturohen paushall prej 21 euro e 60 centë.

Disa qytetarë të intervistuar nga KosovaPress, janë ankuar për çmim të lartë të këtyre faturave, mirëpo shumica prej tyre kanë pranuar se çmimi është normal, por që nuk e dinë si do t’ia bëjnë gjatë muajve të dimrit, atëherë kur duhet paguar më shumë.

Milisav Dimitrijeviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë se e ka paguar faturën e rrymës.

Sipas tij, çmimi prej 21 eurosh është i lartë, duke pasur parasysh pensionin e vogël.

“Po, (kam marrë faturën)… Vlera e faturës është 21 euro dhe diçka të imëta… Për mua duke pasur parasysh pensionin e vogël, mjaft shtrenjtë është… por ç’të bëjmë, borxhi është borxh… E kam paguar”, thotë Dimitrijeviq.

Vesna, një qytetare tjetër e kësaj pjese të Mitrovicës, thekson se ky çmim tani për tani nuk është i shtrenjtë, por siç thekson ajo ‘nuk di si do t’ia bëjë atëherë kur duhet paguar 200 euro faturën’.

“Po, kam pranuar faturën dhe pikërisht jam nisur ta paguaj… 21. 50 euro… Tani për tani nuk është shtrenjtë, por më vonë duke ditur se pensionet tona janë të vogla, nuk e di si do ta paguajmë rrymën kur duhet paguar nga 200 euro”, thotë ajo.

Në anën tjetër, Radomir Milliq, një mitrovicas i vjetër, bën të ditur se akoma nuk e ka pranuar faturën, por thekson se do ta paguajë kur ta merr faturën.

“Akoma jo, disa në ndërtesë kanë pranuar faturat, me gjasë po shkojnë me radhë sipas kateve, unë jam në katin e katërt dhe ende nuk kanë arritur… Dikush po ankohet se çmimi i faturës është i shtrenjtë, dikush tjetër thotë se për aq sa ka shpenzuar rrymë, çmimi është normal…Gjithçka që shpenzoj, unë paguaj dhe rendi është që të paguhet për atë që shfrytëzon. Jam qytetar i vjetër, të mitë janë që 150 vjet mitrovicas të vjetër dhe nuk dua të koritem’, shprehet Milliq.

Kjo është hera e parë që pas 24 vitesh qytetarët e këtyre komunave po faturohen për energjinë e shpenzuar, pasi e njëjta deri në vitin 2017 u kishte rënë në barrë qytetarëve të komunave tjera të vendit.

Go to TOP