Qindra mjekë të papunë, por anesteziologë të pushtetshëm me zero operacione – të pandëshkuar!

Alarmi për ikjen e mjekëve nga Kosova është një nga shqetësimet më të mëdha, edhe brenda politikës.

Së fundi kjo çështje është kthyer edhe në një argument për kritikat e opozitës, me të cilin po e godet qeverisjen Kurti.

Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2022 kanë ikur më se 200 mjekë nga atdheu, për të vazhduar me profesionin në perëndim, kryesisht në Gjermani.

Ndërsa, deri në vitin 2022 për katër vite janë larguar mbi 450 mjekë, me moshë mesatare rreth 31 vjeçare.

Por, trendi i ikjes është edhe më fatal, po sipas të dhënave të Odës së Mjekëve. Vetëm në janar, e kanë braktisur vendin 24 mjekë, dhe 8 të tjerë në ditët e para të shkurtit, dhe nëse vazhdon ky ritëm, numri i mjekëve që po e braktisin vendin mund të rritet për rreth 40%, krahasuar me një vit më parë!

Qeveria e Kosovës, këmbëngulë se ua ka rritur pagat mjekëve, por në fakt, janë rritur për 50 %, të mjekëve specialistë krahasuar me pagat e përcaktuara sipas koeficientëve. Specialistët, kanë koeficientin 12 dhe paga bazë e tyre bruto do të jetë, 1260 euro, ndërsa ajo e mjekëve të përgjithshëm do të jetë 777 euro bruto, me koeficient 7.4.

Por, pagat nuk janë i vetmi shkak i braktisjes së atdheut, përveç motivit kryesor, humbjes së shpresës, motivi i pagesës ndër vite ishte vetëm i treti, që mjekët i shtynin ta braktisnin vendin, edhe sipas Odës së Mjekëve, dhe vlerësimeve të përgjithshme, nga disa specialistë që punojnë brenda sistemit.

Për dallim nga arsyet kryesore të përmendura në vitet e mëparshme, ky trend këtë vit ka ndryshuar.

“Arsyeja e parë është mundësia e punësimit, pastaj paga dhe i treti shkak, kushtet e punës”, rezulton nga kërkimet e Odës.

Por, sipas të dhënave të Odës në vitin e shkuar ishin rreth 360 mjekë të papunë.

Po ashtu sipas një hulumtimi të mëhershëm nga kjo Odë, nga një mijë studentë të pyetur, 73 % kanë deklaruar se do të iknin pas diplomimit, duke mos shfaqur besim për ardhmërinë e tyre profesionale, si për kushtet e punës, pasigurisë etj.

Por, a është kështu dhe pse?

Rasti më specifik, bazuar në raportet vjetore të punës, është ai i anesteziologëve, numri më i madh, në përqindje %, i cili e ka braktisur vendin e tyre të punës në sektorin publik dhe Kosovën.

Pra, specialistët, “e pushtetshëm” mund të mos e kryejnë punën e vet fare, mund të vonohen, mund të merren 100% me punë të tjera, dhe të mos kryejnë madje fare punën e specializimit, për të cilën paguhen kryesisht.

Sipas një raporti të bërë publik nga portali gazetashneta, Klinika e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv ka kryer 19.172 raste të anestezioneve, “të shkurtra apo të gjata”. Por, operacionet anestetike nuk janë kryer nga të gjithë 57 anesteziologët sa i kishte zyrtarisht më 2022 kjo klinikë.

Derisa rekordin e mban anesteziologu Muharrem Morina, në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike me 2689 anestezione lokale dhe të përgjithshme, disa të tjerë e mbajnë rekordin me zero.

“Tre anesteziologë që mbajnë pozita po ashtu kanë zero ose pak operacione. Agreta Gashi-Gecaj është anëtare e Bordit Drejtues të ShSKUK-së, Gazmend Spahija drejtor i Klinikës si dhe Shaqir Uka është shef në Mjekimin Intensiv. Këta të tre, sikurse edhe anesteziologë të tjerë mbajnë kujdestari në intensivë”, raportonte portali gazetashneta.

Këtu duket edhe të jetë një nga çelësat burimor, të motivimit të pakënaqësisë në punë të mjekëve.

Njerëz me pak pushtet, nuk kryejnë asnjë punë thelbësore profesionale apo minimalisht, më pak se 12 anestezione në vit sa ka specialisti Gjyliqi, apo edhe asnjë, sa duket se ka bërë (s’ka bërë) Agreta dhe dy zyrtarët e tjerë, por specialistë.

Nëse s’ke ‘pushtet’ edhe pse je specialistë, mund të mos arrish qëllime minimale, dhe të demotivohesh për punë.

Po, kush duhet dhe mund ta merr në përgjegjësi një zonjë, si Agreta, që për shkak se mban pozitën e anëtares së bordit të ShKUK-së, ndikimit, fuqisë së saj deri në Ministri, s’ka kush as ia kërkon këtë llogari, për mos pjesëmarrje në anestezione.

Lidhjet e saj përfolën se shkojnë fuqishëm deri në Ministri të Shëndetësisë, ku njerëz që shkelin ligjin haptazi dhe të drejtat e njeriut, shkelin lehtësisht mbi të drejtat e profesionistëve.

Klinika e Anesteziologjisë nga 57 anesteziologë sa kishte vitin e kaluar ka mbetur me 46, pasi 9 e kanë lëshuar vendin e punës, një është pensionuar dhe një tjetër ka vdekur.

Turqia, së fundi e arrestoi një investitor turk të ndërtimeve në zonën, ku tërmeti i fundit, edhe pse i jashtëzakonshëm, për shkak të dëmeve po të jashtëzakonshme në njerëz dhe atyre materiali, me mbi 24 mijë të vdekur vetëm në këtë shtet, ndërsa sipas OBSh ky numër i viktimave pritet të dyfishohet, dhe vazhdojnë të jenë miliona të pastrehë.

Por, pas tërmetit, arrestimi duket tepër i vonuar!

E kush do t’i parandalojë këto goditje të vazhdueshme, të këtij ‘cunami’ – të ikjes së mjekëve dhe trurit nga Kosova?!

Sigurisht se atëherë edhe arrestimet me abuzuesit e përgjegjësive do të jenë të vonuara?!

Idriz MORINA

Go to TOP