Qeveria: Po punojmë maksimalisht në trajtimin e duhur për të aksidentuarit në Kroaci

Qeveria e Kosovës po thotë se me të gjitha institucionet dhe kapacitetet e saj, është duke punuar maksimalisht për t’u ofruar kujdesin dhe trajtimin e duhur të prekurve nga aksidenti në Kroaci.

Sipas një njoftimi të lëshuar së fundit, qeveria bën të ditur se institucionet e Kosovës në bashkëpunim me ato të Kroacisë, kanë bërë organizimin e kthimit të bashkëqytetarëve, gjendja shëndetësore e të cilëve thuhet se është e mirë.

”Qeveria e Republikës së Kosovës me të gjitha institucionet dhe kapacitetet e veta po punon maksimalisht për t’u ofruar kujdesin dhe trajtimin e duhur bashkatdhetarëve tanë të aksidentuar në Kroaci.

Institucionet e Kosovës në koordinim me institucionet e Kroacisë, kanë organizuar kthimin e bashkëqytetarëve tanë në Kosovë, gjendja shëndetësore e të cilëve është stabile. Ata do të vijnë sonte me transport ajror, pas orës 22:00.

Qeveria do të organizojë transportin dhe përcjelljen e bashkëqytetarëve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” deri te familjet, në vendbanimet e tyre.

Ministria e Punëve të Brendshme është në kontakt të vazhdueshëm me familjet e viktimave lidhur me procedurat e kthimit në Kosovë të trupave të personave që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës”.

Go to TOP