Qeveria e dërgon në Kuvend për miratim statutin e ri të UP-së

Qeveria në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar vendimin për statutin e ri të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në mbledhje prezantoi hollësi të këtij vendimi.

“Në bazë të fushëveprimit dhe mandatit të saj MAShTI duke marrë parasysh ligjin për arsimin e lartë i propozon Qeverisë marrjen e vendimit për miratimin e statutit të ri të Universitetit të Prishtinës për aprovim në Kuvend. Senati i UP-së në mbledhjen e mbajtur më 31.07.2023 ka miratuar statutin e ri”, ka theksuar Nagavci.

Sipas saj, statuti i ri përmban një mori vendimesh e reforma që do të ndikojnë direkt në përmirësimin e cilësisë dhe punës në universitet.

“Me statutin e ri besojmë se UP-ja dhe institucionet tjera të arsimit të lartë do të vendosin standarde të tilla të cilat ka kohë që i janë dashur vendit, në mënyrë që të rritet cilësia e studimeve dhe të avancohen studimet në arsimin e lartë”, ka deklaruar Nagavci.

Go to TOP