Putin: Të gatshëm të negociojmë me Ukrainën!
Presidenti rus Vladimir Putin është shprehur i gatshëm të negociojë me këdo të përfshirë në procesin e arritjes së një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës. Putin deklaroi se Rusia është e gatshme për zgjidhje të pranueshme, por i takon Ukrainës të negociojë.
“Unë nuk mendoj se është aq e rrezikshme, mendoj se ne po ecim në drejtimin e duhur, duke mbrojtur interesat tona kombëtare dhe interesat e qytetarëve tanë, popullit tonë. Dhe ne thjesht nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të mbrojmë qytetarët tanë. Ne jemi të gatshëm të negociojmë me të gjithë të përfshirë në këtë proces për zgjidhje të pranueshme, por u takon atyre. Nuk jemi ne që refuzojmë të negociojmë, jane ata”, tha Putin.
Ndërsa këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak i ka bërë thirrje Presidentit rus që të kthehet në realitet pasi Rusia theksoi ai, nuk dëshiron negociata.
“Putini duhet të kthehet në realitet. Rusia sulmoi e vetme Ukrainën dhe po vret qytetarë. Rusia nuk dëshiron negociata, por përpiqet të shmangë përgjegjësinë. Kjo është e qartë, kështu që ne po shkojmë në Tribunal”, shkroi ai në rrjetin social Twitter.
