Prokuroria Speciale po ndjek ministra, kryetar komune, drejtor agjencish! A do e ndihmojë edhe FBI-ja
Shkruan: Idriz MORINA
Duket se së shpejti do të godasin hetimet rëndë rrjetet kriminale, qeveritarë, komunarë, drejtorët e agjencive kryesore!
Mbase është çështje kohe kur do të fillojë një proces i gjatë dhe goditës ndaj krimit qeverisës, në nivel qendror e lokal!
Së shpejti do të shohim, aktakuza për ministra në qeveri dhe pushtete të tjera, sikurse po ndodhë në Shqipëri nga SPAK-u!
Numri 2 i Prokurorisë speciale, që e udhëheq Departamentin kundër korrupsionit dhe krimit financiar, paska dhënë alarmin duke paraqitur numrin e jashtëzakonshëm të të dyshuarve që kanë shkelur rëndë ligjin.
Në fakt, është niveli i krimit, por edhe detyrat e larta në shtet, që janë objekt hetimi i Prokurorisë speciale, madje përfshirë hetimin edhe të gjykatësve e të prokurorëve të korruptuar.
“Nëse i referohemi statistikave, në vitin 2025… më 2026, kemi hy me një numër prej 390 rastesh aktive në Departamentin për korrupsion dhe krim financiar. Pra, 390 raste po hetohen”, ka thënë Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Speciale Valdet Gashi në KTV.
Ai vetë ka bërë të ditur se çfarë nivelesh pushteti përfaqësojnë të dyshuarit: “… ka, edhe ministra edhe kryetarë të komunave, por edhe drejtorë të agjencive kryesore në Kosovë”, ka thënë ai.
Skenari për arrestime përforcohet edhe nga njoftimi i djeshëm i Policisë së Kosovës, e cila bëri të ditur se FBI-ja po dërgon në Kosovë një agjent special dhe një analist të inteligjencës së Agjencisë amerikane, të cilët përveç se do të ndihmojnë duke punuar ngushtë me policinë, ata do të punojnë edhe në mënyrë të pavarur, pra paralelisht.
“…atashetë amerikanë prezantuan para nivelit të lartë ekzekutiv të Policisë së Kosovës dy përfaqësues të FBI-së: një agjent special të FBI-së dhe një analist të intelligences të FBI-së, të cilët do të punojnë ngushtë dhe paralelisht me Policinë e Kosovës gjatë muajve në vijim”, thuhet në njoftimin e djeshëm të Policisë së Kosovës.
Pra, ajo që pëshpëritej së fundi se ndoshta nga fundi i shkurtit e tutje do të ketë arrestime, nëse nuk është një thashetheme, që bazohet në këtë informacion, atëherë, kjo përkon me ardhjen e ndihmës amerikane, por edhe me lajmin e dhënë nga Prokuroria speciale, se po hetohen vetëm nga ajo 390 raste delikate të krimit, e sigurisht edhe qindra e qindra të tjera nga nivelet tjera të prokurorisë.
Duke punuar në mënyrë të pavarur, specialistët e FBI-së, duket se nuk do të përjashtojnë nga hetimi asnjë autoritet apo figurë.
Prokuroria duhet të hetojë edhe zinxhirin e krimeve dhe korrupsionit, që shtrihet dhe shtrihej në linjën qeveri-parti, por duhet të hetojë edhe propagandën hibride, qoftë në media, por veçanërisht të ushtruar nga Zyra e Propagandës dhe dezinformimit e VV-së.
Ashtu siç po argumenton vetë ky institucion në procesin e gjykimit për dëmtim të buxhetit të shtetit me rreth 37 milionë euro, për projektet në KEK. Sipas prokurores së rastit, është një njeri që nuk dihet çfarë roli ka në Vetëvendosje, por ajo paraqitet si vendimarrëse në projekte qeveritare etj.
“Prokuroria ka prova të mjaftueshme se komunkimet mes të akuzuarit Nagip Krasniqi dhe me disa zyrtarë të partisë në pushtet Vetëvendosje, në veçanti me Dejona Mihalin si përfaqësuese e partisë ose nuk e di se çfarë funksione mund të ketë, si person jozyrtar kishte komunikime të shpeshta dhe jo vetëm kaq, por i akuzuari Nagip Krasniqi i dërgonte referenca për të cilat do të duhej të vendoste më vonë, e që e njëjta në mënyrë të kundërligjshme ishte mveshur me autorizim nga tani i akuzuari, që të jepte opinione e mandje në disa raste edhe të vendoste për to”, ka thënë të premten në seancë prokurorja Fikrije Zejnullahu (citimi i plotë sipas Betimi për Drejtësi).
Deri para disa muajsh, ishin regjistruar mbi tre mijë raste të tenderëve njëburimor nga qeveria Kurti, mbi 80% e tyre, sigurisht se duke shkelur Ligjin e Prokurimit publik!
Sigurisht që hetimet nuk do të kursejnë as ish-ministra e as ish-zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit, të komunave, deputet e ish-deputet, udhëheqës të agjencive etj.
Lufta kundër krimit të organizuar nuk duhet të jetë e pjesëshme dhe amnistuese!
