Prokuroria njoftohet për moszbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka njoftuar Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi për moszbatimin e vendimit të saj në lidhje me tokën e Manastirit të Deçanit.

Pesë vite më parë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë.

Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga institucionet e Kosovës, konkretisht komuna e Deçanit, pavarësisht thirrjeve për një gjë të tillë nga komuniteti ndërkombëtar.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se nuk do ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe rrjedhimisht ka pohuar se autoritetet komunale nuk kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për të mos pranuar regjistrimin e pronës për Manastirin e Deçanit.

“Është një vendim i Gjykatës Kushtetuese që i ka përjashtuar qytetarët e Deçanit prej realizimit të interesit të tyre. Realisht ai vendim na ka pamundësuar zhvillimin ekonomik deri tash. Është një ofertë që t’u thuhet qytetarëve të Deçanit se, ju nuk keni të drejtë të jetoni në këtë shtet. Nuk është vetëm një vendim i Gjykatës Kushtetuese tash. Janë një mori kontestesh që ishte dashur të mbyllen një herë e përgjithmonë”, pati thënë Ramosaj.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani në letrën dërguar Kryeprokurorit të Shtetit thotë se “Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë për vlerësimin e përgjegjësisë për moszbatimin e aktgjykimeve nga autoritetet përgjegjëse”.

“I takon Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë veprimet e mëtejme sipas autorizimeve ligjore, bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.

Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese drejtuar Kryeprokurorit e kanë mirëpritur shefat e Misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.

Përmes një komunikate përfaqësuesit e këtyre vendeve perëndimore thonë se “është shqetësues fakti që Gjykata Kushtetuese është e detyruar t’u kujtojë institucioneve ekzekutive që të garantojnë dhe zbatojnë sundimin e ligjit”.

Në muajin maj Manastiri i Deçanit përmes një deklarate pati thënë se po përballen me obstruksione ligjore nga të dyja nivelet e institucioneve të Kosovës, atyre lokale dhe qendrore.

Go to TOP