Prokuroria në Hagë për aktgjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt: Mesazh për këdo që i frikëson dëshmitarët

Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara sot ua vërtetoi dënimin me burgim ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj si dhe theksoi se mbrojtja e dëshmitarëve nga “frikësimi dhe dëmtimi është në themel të çdo sistemi të drejtësisë penale, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara”.

Paneli i Apelit vendosi që dënimi me burgim ndaj Gucatit e Haradinaj nga katër vjet e gjysmë të dhënë nga Trupi Gjykues, të ulet në katër vjet e tre muaj burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim.

“Paneli i Apelit la në fuqi verdiktin e fajësisë së z. Gucati dhe z. Haradinaj për frikësim gjatë procedurës penale (Pika 3), shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare (Pika 5), dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të identiteteve dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur (Pika 6). Paneli i Apelit më tej la në fuqi, me përjashtim të gjykatësit Ambos që nuk u pajtua, verdiktin e fajësisë së z. Gucati dhe z. Haradinaj për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, nëpërmjet kërcënimit të rëndë (Pika 1)”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

Gjithashtu, u theksua se dëshmitarët që japin dëshmi duhet ta bëjnë këtë pa pasur frikë.

“Është me rëndësi themelore për përmbushjen e misionit të Dhomave të Specializuara që individët të cilët vijnë për të dhënë dëshmi, shpesh lidhur me përvoja traumatike ose të vështira, ta bëjnë këtë pa pasur frikë. Mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi dhe dëmtimi është në themel të çdo sistemi të drejtësisë penale, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara. Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë, pra, me administrimin e duhur të drejtësisë, integritetin dhe sigurinë e procesit dhe sigurinë e dëshmitarëve”.

Lidhur me vendimin e Apelit ka reaguar edhe ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar Aleks Uaiting (Alex Whiting), vendim ky që u mirëpirt nga ai dhe bëri të qartë se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë të ndjekë penalisht të gjitha rastet e frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve dhe pengimit të drejtësisë.

“Unë e mirëpres aktgjykimin e sotëm nga Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara që përforcon sundimin e ligjit në Kosovë dhe i dërgon një mesazh të qartë kujtdo që përfshihet në frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve dhe pengimin e drejtësisë,” tha Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar.

“ZPS-ja i merr këto krime jashtëzakonisht seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht këdo dhe të gjithë ata që përfshihen në këtë akt në çdo rast”, njofton komunikata dërguar mediave.

“Kjo çështje gjyqësore lidhet me kushtet që kërkohen për administrimin siç duhet të drejtësisë  dhe çfarë është e nevojshme për ta bërë sundimin e ligjit realitet,” vazhdoi ai.

Ai u shpreh se “dëshmitarët duhet të kenë mundësinë të dëshmojnë pa pasur frikë nga hakmarrja dhe shpagimi”.

Go to TOP