Prokurori i Italisë kërkon 6 vjet burgim për Matteo Salvinin, nën akuzën e rrëmbimit të emigrantëve

Një prokuror italian të shtunën i kërkoi një gjyqtari të dënojë me gjashtë vjet burgim liderin e krahut të djathtë Matteo Salvini për vendimin e tij të vitit 2019, për të parandaluar zbarkimin e më shumë se 100 emigrantëve në vend.

Ministri i atëhershëm i Brendshëm, i cili aktualisht shërben si zëvendëskryeministër dhe ministër i Transportit në qeverinë e Giorgia Melonit, është akuzuar për rrëmbim dhe është në pritje të dënimit pas vendimit të tij që la të bllokuar emigrantët në det.

Siç raporton Reuters, më pas prokurorët kishin urdhëruar sekuestrimin e anijes së tyre dhe evakuimin e njerëzve në bord.

Të shtunën, prokurori kërkoi burgosjen e Salvinit në një seancë dëgjimore në kryeqytetin sicilian të Palermos. Vendimi përfundimtar i takon një gjyqtari të lartë në përfundim të një procesi gjyqësor me tre faza.

Një dënim përfundimtar mund ta ndalojë Salvinin të mbajë poste qeveritare.

“Unë do t’i bëja të gjitha përsëri: mbrojtja e kufijve nga emigrantët e paligjshëm nuk është një krim”, tha Salvini në një postim në X të shtunën.

Gjatë 14 muajve të tij si ministër i Brendshëm, Salvini ndaloi disa varka të ankoroheshin në Itali në një përpjekje për të ndaluar fluksin e emigrantëve.

Ai akuzoi rregullisht organizatat bamirëse të shpëtimit të emigrantëve se kanë inkurajuar efektivisht kontrabandën e njerëzve.

Lidhja e Salvinit është pjesë e qeverisë së qendrës së djathtë të Melonit.

“Është e pabesueshme që një ministër i Republikës italiane të rrezikojë gjashtë vjet burg për të bërë detyrën e tij për mbrojtjen e kufijve të kombit, siç kërkohet nga mandati i marrë nga qytetarët”, tha Meloni në një postim në X.

Go to TOP