Prokurori amerikan që arrestoi Hashim Thaçin, zbulon aktakuzën ndaj Donald Trumpit

Prokurori amerikan, Jack Smith, i cili arrestoi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka zbuluar këtë të premte një aktakuzë ndaj ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Ky rast shënon herën e parë që një ish-president amerikan përballet me akuza federale.

Pasi dha dorëheqje nga pozita e kryeprokurorit në Gjykatën Speciale, Smith u ngarkua në nëntor të 2022-ës për të parë nëse Trump ose ndihmësit e tij kryen krime duke fshehur dokumente të klasifikuara në resortin Mar-a-Lago të ish-presidentit Trump, pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe nëse të njëjtit penguan hetimin, raporton CNN.

Smith udhëhoqi hetime për disa muaj me radhë derisa doli me aktakuzën përfundimtare për keqpërdorim të supozuar të dokumenteve të klasifikuara nga Trump.

Si rrjedhojë, Trump përballet me 31 akuza për fshehje të qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare.

Aktakuza jep detaje për pretendimet se në ç’vend Trump ruante informacione të klasifikuara brenda rrethit të tij. Pretendimet janë se Trump synoi të fshehte dokumente që kërkoheshin në një hetim federal.

Tutje, siç pretendojnë prokurorët, në fshehjen e dokumenteve të klasifikuara kontribuoi edhe Walt Nauta, ndihmësi i Trump që po ashtu u padit të premten. Ai supozohet se gënjeu kur u intervistua nga hetuesit e FBI-së në maj të 2022-ës, pikërisht në rastin e fshehjes këtyre dokumenteve.

“I ftoj të gjithë ta lexojnë [aktakuzën] plotësisht për të kuptuar shtrirjen dhe peshën e krimeve për të cilat po akuzohen [Trump dhe ndihmësi i tij]”, tha prokurori Jack Smith, pasi bëri publike aktakuzën.

Ai tha se ka ligje që mbrojnë informacionin e mbrojtjes kombëtare që janë “kritike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ato duhet të zbatohen”.

“Ne kemi një grup ligjesh në këtë vend dhe ato zbatohen për të gjithë,” tha Smith, duke shtuar se zyra e tij i zbatoi ato ligje dhe mblodhi fakte gjatë rrjedhës së hetimit.

“Kjo është ajo që përcakton rezultatin e një hetimi. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak,” tha ai. 

Go to TOP