Projekti filmik për Adelina Ismailin, merr tri çmime në “Docs Barcelona”

“Adelina”, dokumentari me skenar e regji të Aurela Berilës, ka shënuar sukses në skenën ndërkombëtare duke u shpërblyer me tre çmime të rëndësishme në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar “Docs Barcelona”.

Nga gjashtë çmimet prestigjioze që “Docs Barcelona” ndan për projektet filmike, dokumentari “Adelina” që rrëfen jetën dhe karrierën e pop-këngëtares së njohur Adelina Ismaili, ka marrë tre prej tyre.

Dokumentari ka fituar “Best Project Award”, “Best Pitch Award” dhe “San Sebastian Foro Lau Haizetara Award”.

“Docs Barcelona” këtë vit ka mbërritur në edicionin e 27-të.

Çmimet e marra nga “Adelina” në kuadër të “Industry Awards” të festivalit përbëjnë një hap konkret drejt suksesit të mëtejshëm.

Çmimi për “Projektin më të Mirë” është shpërblimi kryesor i festivalit dhe përfshin një sasi monetare prej 4,500 eurosh.

“Best Pitch Award” vjen nga platforma transmetuese “HBO Max” dhe ofron 2,000 euro dhe mbështetje për zhvillimin e mëtejshëm të dokumentarit.

Si pjesë e çmimit “San Sebastian Foro Lau Haizetara Award”, “Adelina” do të garojë në forum të njëjtem në kuadër të Festivalit të 73-të në San Sebastian, që do të mbahet këtë shtator në Spanjë.

Kjo është hera e dytë që një festival prestigjioz në Spanjë, vlerëson dhe e çmon lart një projekt filmik që përqendrohet në historinë e Adelina Ismailit, duke iu afruar jo vetëm karrierës së saj, por edhe ndikimit të saj kulturor dhe shoqëror.

Adelin Ismaili e cila është protagoniste e dokumentarit prej kohësh është duke e moderuar emisionin “Show i së premtes në RTK”, i cili transmetohet çdo të premte në televizionin publik.

Go to TOP