Olimpiket e Parisit, amerikanët pritet të fitojnë shumicën e medaljeve
Shtetet e Bashkuara kanë gjasa të fitojnë shumicën e medaljeve në Lojërat Olimpike të Parisit që zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht. Por pyetja kryesore është nëse sportistët amerikanë do të arrijnë të sigurojnë shumicën e medaljeve të arta, përballë garash të ngushta me Kinën?
Shtetet e Bashkuara parashikohet të fitojnë rreth 123 medalje në tërësi, 37 medalje ari, 34 argjendi dhe 52 bronzi. Ndërsa Kina parashikohet të fitojë 87 medalje, 36 prej tyre të arta, 29 medalje argjendi dhe 22 bronzi.
Parashikimet janë bërë nga organizata “Nielsen’s Gracenote Sports”, e cili ofron analiza statistikore për kampionatet sportive në mbarë botën. Organizata në fjalë harton statistika bazuar në garat kryesore sportive që çojnë në lojërat olimpike. Renditja nga organizata “Nielsen’s Gracenote Sports”, bazohet tek medaljet e fituara në tërësi, megjithëse organizata të tjera e përqendrojnë parashikimin tek medaljet e arta. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk merret me renditje, duke ia lënë këtë detyrë shteteve dhe mediave lokale.
Kjo do të ishte hera e tetë radhazi që Shtetet e Bashkuara fitojnë medaljet më të shumta në Lojërat Verore. Në vitin 1992 në Barcelonë, ekipi i unifikuar kryesoi me numrin e përgjithshëm të medaljeve. Sportistët i përkisnin ish Bashkimit Sovjetik, i cili sapo ishte shpërbërë.
Hera e fundit që Shtetet e Bashkuara nuk kryesuan për nga numri i medaljeve të arta të fituara në Lojërat Verore ishte në Olimpiket e vitit 2008 në Pekin, ku Kina investoi shumë dhe arriti suksese.
Britania parashikohet të fitojë 62 medalje në Lojërat e Parisit, 14 nga të cilat të arta. Franca 56 medalje gjithsej, 29 të arta. Australia 48 medalje në total dhe 13 të arta. Japonia parashikohet të fitojë 46 medalje, 12 të arta. Italia pritet të marrë 46 medalje, 11 prej të cilave të arta. Gjermania parashikohet të fitojë 37 medalje në tërësi, 10 të arta. Holanda pritet të marrë 34 medalje, 17 të arta. Koreja e Jugut pritet të marrë 29 medalje në tërësi, 8 prej të cilave të arta.
Vendet organizatore kanë gjithmonë prirjen për të fituar më shumë medalje. Franca pritet të shënojë një rrije të madhe, krahasuar me 33 medalje të siguruara në Lojërat Olimpike të Tokios dhe parashikohet të trefishojë medaljet e arta.
Ekipet e shtetit organizator kanë avantazh të fitojnë më shumë medalje, pjesërisht falë investimeve në përgatitjen e sportistëve. Faktorë të tjerë janë tifozët vendas dhe stadiumet e njohura për lojtarët.
Ende nuk dihet pjesëmarrja e Rusisë dhe Bjellorusisë. Sportistët e këtyre vendeve kanë munguar në shumicën e garave ndërkombëtare gjatë dy viteve të fundit për shkak të luftës në Ukrainë. Është ende e paqartë se sa sportistë do të marrin pjesë dhe ndikimi i tyre është e vështirë të parashikohet, thotë organizata “Nielsen’s Gracenote Sports”.