Profesionistët shëndetësorë bëjnë thirrje për vaksinim të rregullt të fëmijëve
Profesionistët shëndetësorë po rekomandojnë vaksinimin e fëmijëve sipas kalendarit të rregullt duke e cilësuar atë si një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit publik.
Dr. Albana Xani, pediatre në Klinikën e Pediatrisë, tha se çdo ditë kujdeset për shëndetin e fëmijëve dhe i inkurajon prindërit që të vaksinojnë secilin fëmijë në kohën e duhur.
Ajo ndau edhe përvojën personale me nipin e saj 3-vjeçar, Drinin, i cili i ka marrë të gjitha vaksinat sipas kalendarit të rregullt, përfshirë vaksinën MMR kundër fruthit, shytave dhe rubellës.
Sipas profesionistëve shëndetësorë, vaksinat mbeten ndër ndërhyrjet më të suksesshme në histori, pasi gjatë 50 viteve të fundit mbi 150 milionë jetë janë shpëtuar falë imunizimit kundër sëmundjeve të rrezikshme si fruthi, poliomieliti, difteria, hepatiti B dhe rotavirusi. /Kosova.info/
