Prishtina pret ‘Kupën e Xhematit’: Rreth 100 ekipe nga trojet shqiptare dhe diaspora garojnë për tre ditë
Më 28, 29 dhe 30 nëntor 2025 në Prishtinë do të zhvillohet turneu i futbollit “Kupa e Xhematit”, një nismë sportive e organizuar nga Hajde Sivjet me qëllim promovimin e sportit, bashkëpunimit dhe vlerave të përbashkëta shoqërore.
Ky turne pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha amatore të fundvitit duke mbledhur rreth 100 ekipe pjesëmarrëse nga trojet shqiptare dhe diaspora, përfshirë ekipe të bizneseve, organizatave dhe dashamirëve të sportit. Secila skuadër do të garojë në formatin 5+1 lojtar, me mundësi për dy rezervë.
Ndeshjet do të luhen në Kompleksin Sportiv “Prince” në lagjen Arbëria, rrugën “Stambolli”, ku për tre ditë pritet atmosferë dinamike dhe pjesëmarrje e gjerë e komunitetit sportdashës.
Organizatorët kanë paraparë shpërblime për ekipin fitues dhe vendin e dytë, ndërsa çmime të veçanta do të ndahen për lojtarin më të mirë, golashënuesin më të mirë, portierin më të mirë dhe ekipin më fair-play.
Mediumet vendore ftohen ta pasqyrojnë këtë aktivitet me ekipe xhirimi dhe gazetarë gjatë ditëve të turneut. Organizatorët gjithashtu shprehen të gatshëm të ofrojnë materiale plotësuese për përgatitjen e raportimeve.
“Kupa e Xhematit” synon të shndërrohet në një traditë vjetore që promovon sportin dhe lidhjet mes komuniteteve shqiptare brenda dhe jashtë vendit. /Kosova.info/
