Prishtina do të përgatitet në Antalia për pjesën e dytë të sezonit

Kampionia në fuqi, Prishtina do të përgatitet në Antalia të Turqisë për pjesën pranverore të këtij sezoni, ka njoftuar të hënën ekipi kryeqytetas.

Në njoftim bëhet e ditur se Prishtina më 5 janar do t’i nisë përgatitjet në kryeqytet përpara se të zhvendoset në Antalia për fazën tjetër.

Krahas përgatitjeve, Prishtina në Antalia do t’i luajë edhe disa ndeshje miqësore.

“FC Prishtina përgatitjet për pjesën e mbetur të edicionit do t’i nisë më 5 janar. Si fillim skuadra e drejtuar nga trajneri Abdulah Ibrakoviq do të përgatitet në kryeqytet, kurse më 22 janar do të zhvendoset në Antalia të Turqisë, ku do të përgatitet deri më 2 shkurt. Prishtina në Turqi do t’i zhvillojë edhe disa ndeshje me skuadra të huaja, derisa për emrat e kundërshtarëve do të njoftoheni gjatë ditëve në vijim”, thuhet në njoftimin e klubit. Ndeshjen e parë zyrtare për vitin tjetër, Prishtina do ta luajë më 5/6 shkurt në kuadër të Kupës së Kosovës. Do të përballet me Drenicën në 1/8 e finales.

Sa i përket Superligës, Prishtina stinorin vjeshtor e ka mbyllur në pozitën e pestë në tabelë me 24 pikë të mbledhura, 11 më pak se Gjilani që është lider.

Go to TOP