Prigozhin ishte në bordin e avionit që u rrëzua, thotë Autoriteti i Aviacionit Civil të Rusisë

Shefi i mercenarëve rusë të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin dhe komandanti i grupit Dmitry Utkin, ishin në bordin e avionit që u rrëzua të mërkurën në veri të Moskës, duke mos lënë asnjë të mbijetuar, bëri të ditur Autoriteti i Aviacionit Civil të Rusisë.

Prigozhin ishte në listën e shtatë pasagjerëve të avionit privat, ndërsa tre personat e tjerë në bord ishin anëtarë të ekuipazhit.

Avioni i përkiste grupit mercenar Wagner dhe ishte nisur nga Moska për në Shën Petersburg.

As Kremlini, as Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk konfirmuan se Prigozhin dhe Utkin vdiqën në incident, por një kanal në Telegram i lidhur me Wagnerin e shpalli atë të vdekur.

Kanali Zona Gri tha se Prigozhin ishte një “hero” dhe “patriot” që vdiq në duart e njerëzve të paidentifikuar, e që ai i quajti “tradhtarë të Rusisë”.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se ai “nuk është i befasuar” nga lajmet se Prigozhin mund të ketë vdekur nga rrëzimi i avionit.

“Unë nuk e di faktikisht se çfarë ndodhi, por nuk jam i befasuar”, tha Biden, duke shtuar se “nuk ka shumë gjëra që ndodhin në Rusi e pas të cilave nuk është [presidenti Vladimir] Putin”.

Zyrtarët e shërbimeve të urgjencës në Rusi, që u cituan nga agjencia shtetërore e lajmeve, RIA Novosti, thanë se trupat e tetë personave janë gjetur nën rrënojat. Agjencia nuk tha nëse ndonjë prej trupave është identifikuar.

Zyrtarët nuk i komentuan arsyet e mundshme të incidentit, ndërsa Agjencia Federale për Transportin Ajror të Rusisë – Rosaviatsiya – tha se hetimet tashmë kanë nisur.

Yevgeny Prigozhin
Yevgeny Prigozhin

Dikur aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, Prigozhin udhëhoqi një rebelim të dështuar kundër forcave të armatosura ruse në muajin qershor.

Prigozhin nuk u arrestua apo ndalua në atë kohë, por Putin e cilësoi kryengritjen si “thikë pas shpine” dhe u zotua se do t’i ndëshkojë të gjithë “tradhtarët” e përfshirë.

Nga ajo kohë, vendndodhja e shefit të Wagnerit ishte kryesisht e panjohur.

Ai u shfaq në videon e tij të parë që nga rebelimi në fillim të kësaj jave. Në pamjet e xhiruara mesa dukej në Afrikë dhe të publikuara më 21 gusht në Telegram, Prigozhin u pa duke qëndruar në një shkretëtirë dhe me një pushkë në duar.

Më parë, ai besohej se lëvizte midis Rusisë dhe Bjellorusisë. 

Përpjekja e tij për rebelim u bë pas disa muajsh mospajtime publike me udhëheqjen ushtarake të Rusisë, për strategjinë e luftës në Ukrainë.

Kreu i CIA-s, William Burns, tha muajin e kaluar se Putini ka gjasa që të hakmerret kundër Prigozhinit.

Ai tha se do të habitej nëse Prigozhini do t’i shpëtonte ndëshkimit.

Go to TOP