Presidentja: Kushtetuta është kontrata jonë e përbashkët për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të barabartë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot njërën nga datat më të rëndësishme në historinë shtetërore të vendit—miratimin e Kushtetutës më 9 prill 2008, të cilën e cilësoi si themelin juridik dhe institucional të shtetit të pavarur të Kosovës.

“Kushtetuta është kontrata jonë e përbashkët për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të barabartë,” tha Osmani duke theksuar se ajo garanton liritë dhe të drejtat themelore për çdo qytetar, pa dallim etnie, gjinie apo përkatësie. Ajo shtoi se sundimi i ligjit është thelbi i funksionimit të institucioneve dhe shtetit demokratik.

Në këtë ditë të shënuar, Presidentja riafirmoi përkushtimin institucional për ta mbrojtur dhe zbatuar Kushtetutën me përpikëri dhe për ta jetësuar në çdo politikë dhe vendim. “Vetëm përmes forcimit të sundimit të ligjit dhe respektimit të rendit kushtetues, mund të ndërtojmë një shtet që i shërben qytetarëve me dinjitet dhe drejtësi,” u shpreh ajo.

Në fund, Osmani theksoi se një shtet që e respekton germën dhe frymën e Kushtetutës është garantues i një të ardhmeje të sigurt dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e tij. /Kosova.info/


Go to TOP