Presidenti Biden propozim G7-ës për 50 miliardë dollarë kredi për Ukrainën

Presidenti Joe Biden do të përpiqet të bindë udhëheqësit e vendeve më të pasura të botës që të ofrojnë deri në 50 miliardë dollarë kredi për të mbështetur luftën e Ukrainës. Fondet do të mundësohen nga interesat e pasurive ruse të ngrira në institucionet financiare perëndimore.

Presidenti amerikan dëshiron që homologët e tij në G7 ta miratojnë këtë plan në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë në Apulia të Italisë, që pritet të fillojë në 13 qershor. Por përpara se vendet partnere në G7 të japin mbështetjen, do të duhet të qartësohen shumë prej detajeve të kësaj skeme, i tha Zërit të Amerikës një person në dijeni të planit të presidentit Biden.

Pjesa më e madhe e pasurive ruse me vlerë rreth 280 miliardë dollarë, të ngrira nga institucionet perëndimore pas sulmit në Ukrainë në shkurt 2022, gjenden në Evropë, kryesisht në Belgjikë, Francë dhe Gjermani.

Në prill, presidenti Biden firmosi ligjin që i lejon Uashingtonit të konfiskojë rreth 5 miliardë dollarë pasuri ruse që ishin ngrirë në institucionet financiare amerikane.

Duke i rezistuar trysnisë nga Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina për të sekuestruar vetë pasuritë ruse drejtpërsëdrejti, zyrtarët e BE-së miratuan në maj një plan më të kufizuar, për përdorimin vetëm të interesit që krijohet nga këto pasuri, interes që vlerësohet në rreth 3 miliardë dollarë në vit.

Por ndërsa vendet e tjera të G7-ës përballen me të njëjtën lodhje të zgjedhësve të tyre për financimin e luftës, presidenti Biden filloi të punojë me aleatët dhe partnerët për ta bërë Rusinë të paguajë, në vend që kjo të rëndojë tek taksapaguesit, në një mënyrë që ruan unitetin pa kaluar vijën e kuqe të asnjë vendi, tha zyrtari amerikan që foli në anonimitet.

Ndërsa ekziston një marrëveshje e përgjithshme për t’i dhënë Ukrainës sa më shumë që të jetë e mundur, sa më shpejt që të jetë e mundur, ka edhe pasoja sfiduese ligjore dhe rregullatore të huadhënies bazuar tek të ardhurat nga interesat e parashikuara të pasurive të ngrira, tha Kristine Berzina, drejtore e qendrës “Geostrategy North” në Fondin Marshall.

“Si jepet hua kundrejt fitimeve të parashikuara të pasurive, si përshtatet kjo në regjimin ekzistues të sanksioneve dhe për sa kohë do të jenë këto pasuri vërtet të ngrira?”, i vuri ajo në dukje Zërit të Amerikës ndërsa radhiste problemet kryesore. “Si mund të garantohet që sanksionet që ngrijnë këto pasuri nuk do të ndryshohen nga evropianët përpara se të sigurohet shuma 50 miliardë?”.

Moska ka kërcënuar se do të kundërpërgjigjet. Në maj, presidenti Vladimir Putin nënshkroi një dekret që Rusia të identifikojë pronat amerikane, përfshirë letrat me vlerë, që mund të përdoren si kompensim për humbjet e pësuara si rezultat i sekuestrimit të pasurive të ngrira ruse në Shtetet e Bashkuara.

Go to TOP