Petkoviq pretendon se shoferi “u rrëmbye” nga Policia e Kosovës

Drejtori i drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha më herët gjatë ditës se shoferi i autoambulancës, që e identifikoi si Dejan Spahiq, i cili po transportonte infuzione dhe ilaçe nga Leposaviqi në Mitrovicë të Veriut, “u rrëmbye nga njësitë speciale” të Policisë së Kosovës.

Gjatë një konference për media, Petkoviq tha se “rreth orës 14:00, një makinë e njësive speciale ia ka bllokuar rrugën një autoambulance. Katër policë të armatosur e kanë rrëmbyer shoferin Dejan Spahiq, dhe një pjesëtar i njësive speciale ka hipur në autoambulancë dhe ka udhëtuar me të drejt jugut, në një vend të panjohur”.

Petkoviq tha se ky veprim u bë “me urdhër personal” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe paralajmëroi se do të ngrihet një kallëzim penal kundër Kurtit, i cili, sipas tij, “ka vazhduar të terrorizojë popullatën serbe në veri të Kosovës”.

Ai po ashtu tha se Kurti “po sulmon të sëmurët dhe pacientët” sepse, sipas tij, pacientët në Mitrovicën e Veriut po presin për infuzione dhe ilaçe. Pektoviq theksoi se “populli serb në Kosovë është i zemëruar dhe i mërzitur”.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe tha se për këtë ngjarje e ka njoftuar përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, duke shtuar se Kurti “po shkel marrëveshje dhe paqen” dhe “ai i premtoi misionit të KFOR-it se nuk do të ndërmarrë ndonjë veprim”.

Petkoviq tha se Kurtit “nuk mund t’i besohet” dhe se ai “nuk dëshiron paqe” dhe se ngjarja e sotme është “tregues se ai do të vazhdojë me provokime dhe përshkallëzim” të situatës. Zyrtari serb tha se ngjarja e sotme është po ashtu “turp për bashkësinë ndërkombëtare” dhe theksoi se “është dikush që do të mbrojë njerëzit dhe pacientët tanë” dhe e cilësoi sjelljen e Kurtit si “absolutisht të papranueshme”.

Siç tha Petkoviq, autoritetet e Kosovës “për më tepër se një vit e gjysmë na kanë ndaluar që të dërgojmë ilaçe në spitalet tona”, dhe ai si drejtor i Zyrës për Kosovën dhe shef i ekipit negociator të Serbisë, ka kërkuar nga Brukseli më shumë se “pesë herë” që të zgjidhë çështjen e dërgimit të medikamenteve në spitalet në Kosovë që punojnë sipas sistemit serb.

Go to TOP