Pozhari: Shpejtim Bulliqi e detyroi Ekrem Hysenin të rrëfejë plagët e familjes – një veprim i ulët
Analisti Xhevdet Pozhari ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili sipas tij ka ngritur dyshime rreth plagëve të familjarëve të kandidatit të LDK-së, Ekrem Hyseni.
Në një reagim publik, Pozhari tha se në vend që Bulliqi të merrej me program dhe ballafaqim politik me argumente, ka zgjedhur të shkelë mbi plagët personale të tjetrit. Ai e cilësoi këtë si një veprim të ulët, veçanërisht nga një kryetar që ka pasur mundësi të flasë për punët dhe projektet e realizuara.
“E paska detyruar Ekrem Hysenin që në publik të rrëfehet se si në prill të vitit 1999 i janë plagosur babai, nëna, vëllai dhe motra, dhe si i është vrarë vëllai 22-vjeçar. E ka vënë në pozitë që të ‘dëshmojë’ për humbjet e plagët,” ka shkruar Pozhari.
Ai ka shtuar se e njeh personalisht dr. Ekrem Hysenin që nga një moment i vështirë në jetën e tij, kur babai i Pozharit ishte në çastet e fundit të jetës duke e cilësuar atë si profesionist të përkushtuar dhe njeri që e njeh dhimbjen njerëzore.
“Kjo që paska bërë Shpejtim Bulliqi është shumë e ultë,” ka përfunduar Pozhari. /Kosova.info/
