Policia: Vozitësit e automjeteve të kenë kujdes nё kalimin mbi hekurudhë
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, Stacioni Policor në Klinë, që nga ora 08:30 e mëngjesit të sotëm, ka ndërmarrë veprime për mbikëqyrjen e vijës hekurudhore që kalon përgjatë zonës së përgjegjësisë së saj, duke verifikuar nëse drejtuesit e automjeteve ndalojnë në vendkalimet hekurudhore ku është vendosur shenja STOP.
Përmes një komunikate për media, policia ka bërë të ditur se ky planifikim është ndërmarrë si pasojë e dy aksidenteve me tren që kanë ndodhur javën e kaluar në këtë zonë.
“Që nga sot, ky operacion do të jetë i vazhdueshëm dhe kundërvajtësit që nuk i respektojnë shenjat e komunikacionit në vendkalimet hekurudhore do të gjobiten pa asnjë kompromis,” thuhet në komunikatë.
Sipas policisë, nga mëngjesi e deri më tani janë shqiptuar dhjetëra gjoba, me qëllim që të vetëdijesohen drejtuesit e automjeteve, sidomos pasi këto mosrespektime po kushtojnë me jetë njerëzish.
Policia apelon tek të gjithë qytetarët, përkatësisht drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm gjatë drejtimit të mjeteve, me theks të veçantë në pjesët ku rruga kalon mbi binarët e trenit. /Kosova.info/
