Policia përmbyll trajnimin për forenzikë të mbikëqyrjes ajrore pa pilot

Policia e Kosovës ka përmbyllur me sukses trajnimin e specializuar për forenzikë të mbikëqyrjes ajrore pa pilot, duke shënuar një hap të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve të saj profesionale dhe operacionale.

Sipas njoftimit, trajnimi është realizuar nga Divizioni i Trajnimeve të Policisë së Kosovës me mbështetjen e partnerit strategjik, Zyrës Rajonale të Sigurisë dhe programit ATA të Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Pas përfundimit të trajnimit, në Kampin Vrella është mbajtur ceremonia zyrtare e shpërndarjes së certifikatave, ku kanë marrë pjesë udhëheqës të lartë të Policisë së Kosovës dhe përfaqësues të Zyrës Rajonale të Sigurisë nga Ambasada Amerikane.

Në këtë trajnim kanë marrë pjesë zyrtarë nga njësitë e specializuara dhe ekspertë të fushës, me fokus në rritjen e kapaciteteve për përdorimin e teknologjisë së dronëve në hetime dhe mbikëqyrje ajrore.

“Në shenjë falënderimi dhe vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm të instruktorëve dhe mbështetjen e palëkundur të partnerëve strategjikë, Policia e Kosovës ndau certifikata mirënjohjeje si dhe dorëzoi pllakën zyrtare për instruktorët specialistë nga partneri strategjik ATA”, thuhet në njoftim

Sipas Policisë së Kosovës, ky aktivitet rikonfirmon përkushtimin për modernizim të vazhdueshëm dhe për zbatimin e standardeve më të larta ndërkombëtare në fushën e sigurisë dhe forenzikës ajrore. /Kosova.info/

Go to TOP