Ferizaj shpërthen ndaj gjyqtarit: Na u mohua kupa nga vendimet e Genc Nuzës

Finalja e Kupës së Kosovës mes FC Ferizaj dhe KF Dukagjini, e përgatitur me seriozitet maksimal nga skuadra ferizajase, ka përfunduar mes zhgënjimit dhe akuzave të forta ndaj referimit.

Nga klubi i FC Ferizaj thonë se kjo finale ishte synuar të ishte një moment historik për qytetin, pas një angazhimi të madh dhe përkushtimi të gjithë ekipit.

Përkrahja nga tifozët ishte e jashtëzakonshme, me një atmosferë të zjarrtë të krijuar nga tifozeria “Ujqit”, që sipas klubit mbetet zemra e skuadrës dhe një shtysë e madhe në këtë rrugëtim.

Megjithatë, drejtuesit e klubit kanë ngritur shqetësime serioze për gjykimin e ndeshjes nga Genc Nuza duke pretenduar se dy penallti të pastra nuk u akorduan në favor të tyre.

Rasti i parë, sipas tyre, ndodhi në pjesën e parë pas ndërhyrjes së portierit kundërshtar ndaj kapitenit Betim Haxhimusa. Edhe pse situata u rishikua nga VAR, vendimi nuk u ndryshua. Madje, sipas deklarimeve të klubit, trajnerit Arsim Abazi i është thënë se VAR e kishte sugjeruar penalltinë, por referi kishte vendosur ndryshe.

Rasti i dytë erdhi në fund të takimit, kur sipas Ferizajt, një prekje me dorë nga kundërshtari ndali një rast të pastër për gol. Edhe pse kishte ndërhyrje nga VAR dhe ftesë për rishikim, referi nuk e pa vetë aksionin dhe vendimi mbeti i pandryshuar.

Klubi ka kritikuar edhe menaxhimin e kohës shtesë duke e cilësuar të pakuptueshëm raportin mes minutave shtesë në pjesën e parë dhe të dytë, pavarësisht ndërprerjeve të shumta dhe zëvendësimeve.

Zhgënjimi i madh bëri që skuadra e Ferizajt të refuzojë pranimin e medaljeve të argjendta duke e konsideruar të gjithë situatën si padrejtësi.

Në reagimin e tyre, klubi thekson se kjo nuk është hera e parë që kanë ngritur shqetësime për referimin gjatë sezonit, por sipas tyre, nuk ka pasur reflektim nga institucionet përkatëse.

Pavarësisht gjithçkaje, nga FC Ferizaj deklarojnë se do të rikthehen më të fortë, me synimin për të arritur aty ku besojnë se e kanë vendin. /Kosova.info/


Go to TOP