Policia me aksion në pikën kufitare mes Maqedonisë dhe Serbisë, cak policët e dyshuar për korrupsion
Ministria e Brendshme dhe Prokuroria në Maqedoni të Veriut kanë zhvilluar një aksion policor pasditen në pikën kufitare “Tabanovc” me Republikën e Serbisë.
Përveç bastisjes në godinën e pikës kufitare dhe kabinat për kontrollin dhe legjitimimin e pasagjerëve, AlsatM raporton se bastisje ka pasur edhe nëpër shtëpi private të policëve të cilët janë të punësuar në pikën kufitare “Tabanovc”.
Në urdhëresat e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion që i referohen procedurës para hetimore kërkohet: “bastisja e kabinave për kontroll kufitar, dollapin që e përdorin policët i cili ndodhet në sallën e mbledhjeve, bastisje në një ose më shumë lokacione të pikës kufitare me qëllim gjetjen e provave materiale të cilat mund të lidhen me veprën penale dhe janë mjet i procedurës para hetimore, të konfiskohen telefonat celular me SIM karta, para të vlerave 5, 10, 20, 50 euro dhe më shumë si dhe denarë, lista/fletore me emra të personave dhe shuma të parave, dokumente që ndërlidhen me mit marrje, çelësa të kabinave pa emër në sallën e mbledhjeve dhe gjëra të tjera të cilat mund të jenë prova materiale për të dëshmuar veprën penale”.
Policia nuk ka njoftuar zyrtarisht nëse ka persona të arrestuar, të shoqëruar apo edhe persona që i janë dorëzuar Prokurorisë ose gjykatësit të procedurës paraprake.
Ministria e Brendshme e ka konfirmuar se aksionin policor në “Tabanovc” dhe në disa lokacione të tjera, por s’kanë dhënë më shumë detaje.
