Policia e Kosovës dhe ajo Federale Gjermane thellojnë partneritetin në modernizimin e edukimit profesional policor
Policia e Kosovës, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Tiranë, ka marrë pjesë në një punëtori profesionale të organizuar nga Policia Federale Gjermane në qendrën e saj kryesore të edukimit në Eschwege duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të edukimit dhe trajnimit policor.
Punëtoria u zhvillua në kuadër të projektit evropian “EU-ISF SCOPE III – Virtual Classroom”, i cili ka për qëllim përmirësimin e proceseve të mësimdhënies dhe trajnimit policor përmes platformave digjitale dhe klasave virtuale.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me metodat më moderne të mësimit elektronik (E-Learning) dhe trajnimit hibrid duke diskutuar mënyrat më efikase për integrimin e këtyre teknologjive në programet e trajnimit të Policisë së Kosovës.
Ky bashkëpunim ndihmon në rritjen e kapaciteteve profesionale, zhvillimin teknologjik dhe avancimin e standardeve të trajnimit policor duke e bërë Policinë e Kosovës më të përgatitur për sfidat moderne të sigurisë.
Në përmbyllje të aktivitetit, Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj Republikës Federale të Gjermanisë dhe Policisë Federale Gjermane për mbështetjen e vazhdueshme dhe partneritetin strategjik që ka dhënë rezultate të prekshme në fushën e trajnimit dhe edukimit profesional.
Modernizimi i platformave të trajnimit dhe edukimit policor mbetet një prioritet kyç për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Policisë së Kosovës në të gjitha fushat e sigurisë dhe rendit publik. /Kosova.info/
