Policia arreston nëntë persona për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për mashtrim
Prokuroria Themelore në Prishtinë –Departamenti për Krime të Rënda, respektivisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, përmes njoftimit ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme Policia e Kosovës ka arrestuar nëntë persona, të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit’’ dhe veprën penale të ‘’Mashtrimit’’, nga Neni 336 i Kodit Penal të Kosovës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore, personat e arrestuar në cilësinë e personave zyrtarë, si anëtarë të Komisionit teknik, kanë bërë pranimin e punimeve të stadiumit futbollistik në fshatin Magure – Komuna e Lipjanit, kinse janë kryer punimet sipas kontratës së fituar nga një kompani.
“Gjatë këtij aksioni është ndaluar edhe një person, përgjegjës i Kompanisë në fjalë. Ndërkaq, personat e lartcekur me këto veprime dyshohet se i kanë shkaktuar dëme buxhetit komunal në vlerë rreth treqind mijë euro”, thuhet në njoftim.
