Përplasje veteranësh, Ilir Mirena i reagon Blerim Latifit që tha se protesta është aksion i opozitës

Analisti dhe ish-pjesëtari i UÇK-së Ilir Mirena i ka reaguar profesorit të Filofozifsë Politike që poashtu është ish-pjesëtar i UÇK-së Blerim Latifi, i cili tha se protesta e veteranëve është aksion i opozitës.

Mirena i cili edhe ka marrë pjesë në protestën e sotme ka thënë se sipas disa “mendjeve korrekte” duke aluduar në shkrimin e Latifit, duhet të filtrohen ata që kanë të drejtë me i mbrojtë veteranët dhe ata që s’kanë të drejtë..

“Sipas disa “mendjeve korrekte” te skenes sone publike duhet me e filtru se kush ka te drejte me i mbrojte veteranet e kush jo. Dmth, sipas tyre, nuk ka rendesi kauza, por kush po e thote…Ani, qe e ngjallim Nanen Tereze, e le te flet ajo per pagen e veteraneve”, ka shkruar Mirena.

Në anën tjetër Latifi ka thënë se opozita po i përdorë veteranët për qëllimin e tyre.

“Fatkeqësisht kjo nuk është protestë e veteranëve, por aksion politik i opozitës, i zhvilluar sipas metodave të dikurshme të Kurtit: protesto jashtë Kuvendit dhe blloko punën e Kuvendit nga brenda! Një veteran që proteston jashtë Kuvendit për pagën minimale ( të cilën duhet ta ketë patjetër), nuk do të lejonte që zëri i tij të përfaqësohej brenda në Kuvend nga profiterët milionerë të luftës e pasluftës. Sot ne po shohim faktikisht një ofendim të dyfishtë të veteranëve: nga pushteti që i ka sjellë në këtë situatë me protestu për një pagë minimale, e cila realisht është edhe më keq se minimalja e ekzistencës, dhe nga opozita, e cila hapur po bën lojën e përdorimit të veteranëve për qëllimin e saj të ardhjes në pushtet”, ka shkruar Latifi.

Veteranët e UÇK-së po vazhdojnë protestën e tyre tash e tri orë para kuvendit të Kosovës me kërkesën për përfshirjen e tyre në Ligjin për Pagën Minimale.

Go to TOP