Gjykata shpall aktgjykimin ndaj dy personave, njëri dënohet me burgim e tjetri me gjobë
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykimin ndaj dy personave, R.A dhe R.A. I pari është dënuar me dy vite burgim, ndërsa i dyti është gjobitur me 500 euro.
R.A 1 është dënuar me dy vite burgim, pasi akuzohet për veprat penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
R.A 2 është gjobitur me 500 euro për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.
“I akuzuari R.A.1 është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite për veprat penale Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë, nga neni 321 paragrafi 1 të KPRK-së, Sulmi ndaj personit zyrtar, nga neni 402 paragrafi 2 të KPRK-së, Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarit R.A.1 do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 19.02.2022 deri më datë 13.06.2022. I akuzuari R.A.2 është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 500 euro për veprën penale Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë, nga neni 321 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të cilin dënim i akuzuari do ta paguaj në afat prej 15 ditësh, nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktgjykimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve, në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
