Për nxitje në vrasje, Enver Sekiraqa dënohet më 25 vjet burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur në çështjen penale kundër të akuzuarit Enver Sekiraqa, për shkak të veprës penale “Nxitje në vrasje të rëndë”. Me këtë rast, i akuzuari është shpallur fajtor dhe është dënuar në kohëzgjatje prej njëzet e pesë vite burgim.

Sipas vendimit të Gjykatës, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit dhe atë të arrestit shtëpiak.

“I akuzuari E.S dënimin e shqiptuar do ta mbajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Të akuzuarit po ashtu i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak me aktvendim të veçantë deri në plotfuqishmërinë e Aktgjykimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Prishtinë, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se i pandehuri Enver Sekiraqa akuzohet se ka ndikuar në vrasjen e policit Triumf Riza, i cili u vra më 30 gusht 2007 në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Për vrasjen e tij është dënuar Arben Berisha, i cili ka pranuar fajin.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar edhe një herë më parë në vitin 2019, Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza me 30 vjet burg, por Gjykata e Apelit më 6 mars 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim. /Kosova.info/

Go to TOP