PDK kërkon hetim dhe llogaridhënie për ekspozitën mbi luftën: Shtrembëron të vërtetën historike
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës së fundit që trajton masakrat e luftës 1998–1999 në Kosovë duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe skandaloze.
Në reagimin e saj, PDK vlerëson se ekspozita në fjalë shtrembëron të vërtetën historike dhe cenon rëndë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre. Sipas këtij subjekti politik, çdo përpjekje për relativizimin e krimeve, manipulimin e fakteve apo deformimin e së vërtetës përbën rrezik serioz për kujtesën kolektive dhe drejtësinë historike.
PDK ka ngritur shqetësimin se, përderisa në instanca ndërkombëtare si Hagë, sipas tyre, po tentohet rishkrimi i historisë së Kosovës, një gjë e tillë po ndodh edhe brenda vendit, madje duke u financuar me mjete publike dhe duke u promovuar nga përfaqësues shtetërorë.
Sipas tyre, kjo situatë ngre dyshime serioze për përgjegjësinë institucionale dhe standardet e verifikimit të përmbajtjeve që trajtojnë tema të ndjeshme kombëtare.
Në këtë drejtim, PDK ka paraqitur disa kërkesa konkrete:
Sqarim të plotë publik për mënyrën e përgatitjes dhe miratimit të ekspozitës;
Identifikimin dhe mbajtjen përgjegjës të zyrtarëve të përfshirë në financimin dhe promovimin e saj;
Kërkimfalje publike ndaj familjeve të viktimave dhe qytetarëve;
Hetim për elemente të mundshme të veprave penale, përfshirë keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe shpërdorimin e parasë publike.
PDK thekson se Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi deformimin e së vërtetës duke shtuar se respekti për viktimat dhe mbrojtja e historisë janë detyrime themelore shtetërore.
Në fund, ky subjekt politik është zotuar se do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të së vërtetës, dinjitetit të viktimave dhe vlerave të luftës çlirimtare. /Kosova.info/
