Gashi: Lista e të vrarëve mbetet përgjegjësi e institucioneve
Analisti Shkëlzen Gashi ka reaguar ndaj debatit të fundit lidhur me Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK) dhe ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” duke dhënë sqarime në emër të organizatave ADMOVERE dhe INTEGRA.
Në reagim thuhet se këto organizata nuk kanë deklaruar asnjëherë se FDHK ka pretenduar që 48 persona të vrarë në Burgun e Dubravës kanë qenë të armatosur në momentin e vrasjes apo duke luftuar. Sipas tyre, ajo që është theksuar ka qenë fakti se në listën e FDHK-së këta persona figurojnë si të armatosur apo ushtarë.
Gashi thekson se ADMOVERE dhe INTEGRA nuk kanë pasur për qëllim të fajësojnë FDHK-në apo drejtuesen e saj, Natasha Kandić. Përkundrazi, ai nënvizon se puna e kësaj organizate dhe e Kandić vlerësohet lart dhe konsiderohet ndër më të besueshmet sa i përket dokumentimit të viktimave.
Në reagim theksohet se lista e FDHK-së është përdorur vazhdimisht si referencë, pikërisht për shkak të besueshmërisë dhe përmbajtjes së saj, pavarësisht vërejtjeve të caktuara.
Në fund, Gashi thekson se mungesa e një liste të saktë dhe zyrtare të të vrarëve gjatë luftës në Kosovë mbetet përgjegjësi e institucioneve shtetërore. Ai bën thirrje për mobilizim të shoqërisë dhe institucioneve për të realizuar këtë proces të rëndësishëm dhe kompleks. /Kosova.info/
