PDK-ja i dërgon sot në Kushtetuese tri ligje, përfshirë atë për KPK-në dhe atë për KPM-në
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, do të dorëzojë sot në Gjykatën Kushtetuese tre ligje, atë për Këshillin e Pavarur të Mediave, atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës, dhe për statutin e Universitetit të Prishtinës.
Nga PDK për Klankosova.tv kanë thënë se dorëzimi në fjalë për këto tri raste do të bëhet rreth orës 15:00, e më pas për këtë çështje dhe detaje të tjera rreth saj Tahiri do të mbajë konferencë për media.
Ditë më parë, Tahiri me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, e kishte paralajmëruar dërgimin e këtyre ligjeve në Kushtetuese.
Sipas tij, ligjet e miratuara për KPM-në dhe KPK-në nuk janë në përputhje me standardet e BE-së, “pasi qeveria nuk i ka marrë parasysh opinionet e BE-së, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së”.
Këto dy ligje të përmendura më lartë janë miratuar në Kuvend të Kosovës javën e kaluar,dhe kanë ngjallur një mori kritikash nga aktorë në vend dhe tek aleatët perëndimorë.
