Pashkët, lutja e Papës: ‘Çarmatoseni dorën e vëllait kundër vëllait’

Mbi dhjetë mijë njerëz u mblodhën mbrëmë rreth Papa Françeskut për t’u lutur në festën prekëse të së Premtes së Madhe, që u rikthye në Koloseum, pas dy vjet Covid. Në të katërmbëdhjetë stacionet, u ndoqën episode nga jeta e përditshme e familjeve, dënimi i “terrorit” gjatë luftës në Ukrainë, dëshmia e një çifti emigrantësh…. Në tekstin e Stacionit XIII, shprehja prekëse: “Përballë vdekjes, heshtja është më shprehëse se fjalët”.

Nga Radio Vatikani.

 “Atë i mëshirshëm, premto që kundërshtarët e tu t’i shtrëngojnë duart. Ta falin njëri-tjetrin! Çarmatose dorën që ngre vëllai kundër vëllait, shndërroje urrejtjen në harmoni!”.

Në vitin 2022, vit i plagosur dramatikisht nga lufta “mizore” dhe “sakrilegje”, Udha e Kryqit, që përkujton rrugën e Krishtit drejt Golgotës përshkohet nëpër natë në Forumet Perandorake, mbushur me dhjetë mijë besimtarë, ndriçuar nga flakëzat e qirinjve.

Errësira dyndet mbi Koloseumin, që ushton nga lutja universale e Papës. Ati i Shenjtë i lutet Zotit ta çarmatosë dorën vrastare, ndërsa në mondovizion parakalojnë njëra pas tjetrës familje të ndryshme që, përmes meditimeve, sjellin në atë vend martrizimi e lumnie, çaste të përditshme nga jeta .

Françesku ishte gjatë gjithë kohës me kokën ulur dhe  duar të bashkuara në lutje, i veshur me pallton e bardhë, i zhytur në meditim. Herë pas here i mbulonte sytë me dorë. Pas shpatullave të tij, pishtarët ndriçonin kryqin e madh të vendosur, sipas traditës, në kodrën përballë Bazilikës së Maksencit, pranë Udhës Shenjte, që përshkon gjithë Forumin Romak, deri në Kapitol.

Të prek në zemër jehona e zërit të ipeshkvit të Romës, që kthehet në Koloseum dy vjet pas ndërprerjes, shkaktuar nga Covid, të një tradite që nuk u ndërpre asnjëherë që nga viti 1964, që asokohe kur Pali VI deshi të rifillonte “udha e përshpirtshme” të Kishës së lashtë, nën hijen gjigande  të Amfiteatrit Flavio, për të përshkuar një rrugë e cila, duke nisur nga Foret Perandorake, vazhdonte deri tek Harku i Kostandinit. Për dy vjet me radhë Via Crucis u kremtua në Sheshin e boshatisur të Shën Pjetrit, ku ishin të pranishëm vetëm mbartësit e kryqit. Ndërsa mbrëmë, një turmë vigane lutej së bashku me Papën dhe me familjet, shoqëruar gjatë katërmbëdhjetë stacioneve nga kardinali Angelo De Donatis dhe nga ipeshkvijtë ndihmës të Dioqezës së Romës.

Lutja e Papës

Me një fill zëri, ngarkuar me emocion, Papa e mori fjalën në fund të ritit. I drejtoi lutjen e përgjëruar Zotit, që “bën të lindë dielli mbi të mirët dhe të këqijtë” duke i kërkuar që “zemrat tona rebele” të bëjnë kthesë e “të mësohen të ndjekim projektet e paqes”. Pasoi një duartrokitje  e stuhishme, shoqëruar nga një zë burri, që brohoriti “Rroftë Papa”. Pasuar nga heshtja e thellë, që shoqëron zakonisht Udhën e Kryqit! Udhë që – siç kujtoi dje Papa – është bërë për të heshtur. Kur heshtja është e vetmja përgjigje që mund t’u japim vuajtjeve të të tjerëve!

Go to TOP