Partnerët e Koalicionit për Familje reagojnë: 20 mijë votat janë rezultat kolektiv, jo pronë personale
Tre partnerët e mbetur të Koalicionit për Familje: Partia e Drejtësisë (PD), grupi i ekspertëve INTEGRITETI dhe Aleanca Kosova e Re (AKR), kanë lëshuar një reagim publik duke kundërshtuar pretendimet e fundit për përvetësim individual të emrit dhe rezultatit zgjedhor të këtij koalicioni. Në deklaratën e datës 25 nëntor 2025, ata theksojnë se në opinion janë hedhur “pretendime të rreme” dhe përpjekje për “manipulim politik” që synojnë keqinformimin e qytetarëve.
Në reagim rikujtohet se Koalicioni për Familje është ngritur mbi një marrëveshje të shkruar dhe të nënshkruar nga katër partnerë: Dr. Ferid Agani nga Partia e Drejtësisë, Fatmir Smajli nga grupi i ekspertëve INTEGRITETI, Eman Rrahmani nga grupi i deputetëve dhe Behgjet Pacolli nga AKR. Sipas tyre, projekti është votuar si platformë e përbashkët politike dhe jo si pronë e askujt individualisht.
Partnerët theksojnë pesë pika kryesore:
– Rezultati prej rreth 20 mijë votash është kapital kolektiv, i pamundur të shitet si “votë personale”.
– Çdo pretendim se votat janë individuale bie ndesh me marrëveshjen politike dhe me vetë të vërtetën.
– Çdokush është i lirë të largohet apo të hapë projekte të reja, por pa të drejtë të përvetësojë punën e përbashkët për interesa personale.
– Përdorimi i emrit “Koalicioni për Familje” apo “Lista për Familje” pas 9 shkurtit 2025 konsiderohet i paautorizuar dhe mashtrim ndaj opinionit publik.
– Vazhdimi i keqpërdorimit të emrit të koalicionit fut aktorët përkatës në territor të përgjegjësisë politike dhe ligjore.
Në fund të reagimit, PD, INTEGRITETI dhe AKR deklarojnë se mbeten të përkushtuar ndaj vizionit fillestar dhe se nuk do të lejojnë që puna dhe vota e qytetarëve të deformohen nga “interpretime individuale pa bazë politike apo morale”. Ata premtojnë të mbrojnë transparencën, integritetin dhe seriozitetin në jetën politike të vendit. /Kosova.info/
